Ushqimi që është më së paku i kontrolluar nga institucionet relevante, është ushqimi (apo produktet) me origjinë shtazore (mishi, bulmeti, yndyra, etj). Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka qenë rregullisht në inspektime në të ashtuquajturin
“pazarin e kerreve” të Prishtinës – i cili mbahet çdo të diele në Fushë Kosovë, mbrapa ETC-së.
Mënyra dhe kushtet e punës së punëtorëve në atë treg, janë dukshëm të pa pranueshme dhe tejet të rrezikshme për shëndetin (fizik dhe mendor) të atyre punëtoreve. Disa nga ta janë ende të mitur dhe aspak të mbrojtur në vendin e tyre të punës (edhe pse janë të vet-punësuar apo nën varësinë e biznesit të tyre familjar – kushtet për shëndet dhe siguri në punë, duhet të
rregullohen nga politikat shtetërore).
Duke parë kushtet e mjerueshme të tregtareve në atë vend, as kafshët nuk kanë fat më të mirë aty! Mbahen keq, në kushte të papastra, pa identifikim dhe regjistrim, pa kontroll veterinare dhe pa siguri të cilësisë dhe mënyrës “humane” në therjen e tyre. Pra, as therja s’bëhet në mënyre të njerëzishme – që garantohet edhe me ligj: me metodën e trullosjes para therjes së
çfarëdo kafshe blegtorale që konsiderohet për konsum njerëzor. Kafshët shtëpiake si qentë dhe macet – janë të mbrojtura me ligj dhe iu garantohet e drejta për të jetuar. Edhe pse kjo, nuk po zbatohet fare!
Por siç e dimë, ligjet në Kosovë i merr era në mënyre mjaft konvenuese! Kemi dispozita ligjore për:
– Mbrojtjen e punëtoreve në vendin e punës;
– Mbrojtjen e të miturve nga puna dhe llojet e punëve që u shkaktojnë rrezik;
– Mbrojtjen e mirëqenies së kafshëve blegtorale dhe shtëpiake (gjitarëve, shpezëve, etj.)
– Kontrollin e shumimit të kafshëve
– Për identifikim dhe regjistrimin e tyre;
– Therjen e tyre të dinjitetshme dhe në mënyra sa më humane;
Sidoqoftë, për implementimin e këtyre dispozitave ligjore, duhen institucione serioze dhe profesionale! Qytetarët duhet të kuptojnë që ushqimi i tyre duhet të jetë i kontrolluara dhe të marra nga fermerë dhe tregje të mirëfillta, ku respektohen kushtet e pastra të punës si dhe mirëqenia e kafshëve blegtorale në maksimum – edhe pse me jetëgjatësi të shkurtër dhe të dedikuar për konsum njerëzor – ata duhen të kenë një jetë të mirëfilltë.
Në dy vizitat e fundit në këtë treg, Policia e Kosovës, Inspektorati i Komunës së Prishtinës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës, kanë heshtur – që do të thotë, refuzuar – të merren me këtë çështje, ngaqë ishte ditë e diele, ditë “pushimi” për ta. Më e keqja, as në ditët e javës nuk i rishqyrtojnë ankesat dhe lajmërimet tona për shumë shkelje
që bëhen ndaj kafshëve dhe njerëzve, në tregun në fjalë. Shumë dëshpëruese, por asnjëherë që t’na bëjë të ndalemi në ngritjen e zërit, për ata që s’mund ta ngrisin për vetën e tyre!