Deklaratë e përbashkët publike:
Kjo deklaratë publike adreson shqetësimin tonë si qytetarë dhe si pjestarë të shoqërisë civile kosovare ndaj organizimit të ngjarjeve kulturore/artistike komerciale të cilat degradojnë mjedisin dhe hapësirat e gjelbërta natyrore dhe shkaktojnë dëme të mëdha tek fauna veçanërisht tek shpezët që jetojnë në ambientet/mjediset natyrore të mbrojtura në Kosovë.
Festivali i muzikës “Sunny Hill Festival”, këtë vit orgzanizon edicionin e dytë me performanca muzikore të zhurmshme për tre ditë rresht (2-4 gusht) në Parkun e Gërmisë, peisazh i mbrojtur natyrorë. Formati dhe përmasat e festivalit janë mjaft të mëdha, andaj edhe konsiderohet si njëri nga festivalet më të mëdha në Kosovë. Kjo automatikisht i bie që ndotja e ambientit që do të ndodhë përmes zhurmës dhe mënyrave tjera siç i dimë të gjithë (hedhja e cigareve, shisheve, plastikes, feçeve dhe urinës së njerëzve, etj.) do të shkaktojnë pasoja të mëdha në natyrë dhe në jetesën normale të kafshëve dhe shpezëve në atë zonë.
Ministri Matoshi dhe ministria që ai drejton janë ligjërisht dhe moralisht përgjegjës për ruajtjen dhe kujdesin ndaj ambientit, florës dhe faunës në Republikën e Kosovës, andaj duam t’ua rikujtojmë që:
1. Parqet, malet, bjeshkët dhe vendet e mbrojtura (apo edhe jo) me ligj apo akte të tjera në fuqi në Republikën e Kosovës, nuk duhet prekur nga asgjë që mund të shkaktojë edhe vetëm çrregullimin më të vogël në natyrë, njerëz apo kafshë; e mos të flasim për ndotjen që një festival do të sjellë për tri ditë të plota;
2. Sipas publikimeve zyrtare të AMMK-ës, Parku i Gërmisë konsiderohet si zonë e mbrojtur [1] dhe kemi të gjithë ne përgjegjësi që ta mbrojmë denjësisht atë, sepse është në shërbimin tonë dhe mirëqenies tonë si qytetarë;
3. Kafshët e egra dhe shpezët janë të mbrojtura me ligjet që vet MMPH-ja ka ratifikuar dhe aprovuar dhe janë pasuria më e madhe që mund ta ketë një vend. Nga llojllojshmëria e biodiversitetit, mund të vërehet edhe shëndeti i njerëzve dhe i një vendi në përgjithësi.
Diversiteti i faunës së egër jep shpresë për një të ardhme të shëndetshme, për një ambient të pastër ku ne dhe gjeneratat pas nesh do të mund të jetojnë në mirëqenie të plotë; kurse ne po e shkatërrojmë atë pa asnjë fije ndërgjegje, vetëm që të organizohet një ngjarje fitimprurëse e cila nuk ka pasur asnjëherë konsideratë për dëmet që po shkakton dhe ka shkaktuar që sa vite me radhë.
Për më tepër, duke iu referuar deklaratës së Ministrit Matoshi[2] në premtimin që vendi “ideal” për organizimin e këtij festivali të jetë Bërnica (vitin që vjen) – ne kërkojmë urgjentisht që kjo gjë të mos ndodhë, sepse sërish preken zona natyrore të cilat do të pësojnë njëjte si Gërmia.
Të gjitha pikat e cekura më lartë janë veprime të kundërligjshme[3] dhe dëmet që do të shkaktohen janë alarmante për ambientin dhe kafshët. Andaj kërkojmë nga MMPH dhe Ministri Matoshi që:
– ngjarje të tilla tu ndalohet organizimi kur ato shkaktojnë dëme dhe pasoja në ambient, duke dëmtuar trashëgiminë natyrore si dhe florën dhe faunën.
– të anulohen organizimet/festivalet e këtyre përmasave në zona të mbrojtura natyrore ashtu siç parashihen me dispozitat ligjore në fuqi.
– të kërkohet nga organizatorët e Sunny Hill Festival që ta zvogëlojnë volumin e zhurmës në këtë edicion në mënyrë që dëmet të jenë sa më minimale.
– të kërkojnë nga organizatorët të zotohen në përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëmbajtjes së Parkut të Gërmisë gjatë pjesës tjetër të vitit.
Organizata e shoqërisë civile që e përkrahin këtë iniciativë deri më tani janë:
GAIA Kosovo
Kosova Women’s Network,
Let’s Do It Kosova,
Cel Kosovo,
Shoqata e Intelektualëve të Pavarur Deçan,
CRPK (Programi për të Drejtat Civile në Kosovë),
Organizata Kulturore “Varg e Vi”,
Balkan Sunflowers Kosova,
EcoZ
Qendra për studime të avancuara FIT
Shpresojmë që edhe organizatat-jo qeveritare të tjera ta mbështesin këtë iniciativë!
___________________________________________________
[1] http://www.ammk-rks.net/…/Germia__Krenaria_e_kryeqytetit.pd…
https://klubialpinprishtina.com/…/klasifikimi-i-zonavete-…/…
http://www.ammk-rks.net/reposit…/docs/Zonat_e_Mbrojtura.pdf…
[2] https://insajderi.com/festivali-sunny-hill-nga-viti-i-ard…/…
[3]
LIGJI Nr. 03/L-233 LIGJIN PËR MBROJTJEN E NATYRES
Ligji Nr. 02/L-102 PËR MBROJTJEN NGA ZHURMA
Ligji Nr. 03/L-025 PËR MBROJTJEN E MJEDISIT
Udhëzim Administrativ nr. 08/2009 – Mbi vlerat e lejuara të emisioneve të zhurmës nga burimet e ndotjes