Situata e pazgjidhur e qenve endacak

22 Shkurt, 2020 admin

Përderisa institucionet fajin ia hedhin njëra-tjetrës, problemi i qenve endacak ende mbetet i pazgjidhur.

Shumë projekte të KSVL (kapja, sterilizimi, vaksinimi, lëshimi) të nisura si nga komunat edhe nga AUVK, të përcjella me shumë abuzime dhe punë joprofesionale dhe monitorim pothuajse joekzistent nga institucionet. Normalisht që pastaj, pasojat e kësaj neglizhence i vuajmë ne si qytetarë të thjeshtë, e më së shumti kafshët e gjora.

Gjatë shumë projekteve të KSVL, qentë pas trajtimit është dashur të kthehen në territorin se ku janë marrë. Kjo, për fat të keq, shumë herë nuk ka ndodhur. Si pasojë e kësaj, në rrugë kemi kafshë të hutuara, të stresuara e të frikësuara sepse janë lëshuar në një territor krejt të panjohur për ta. Është shumë normale që në këto kushte pastaj të ketë edhe incidente: qen që sulmojnë njëri-tjetrin në mbrojtje të territorit dhe ushqimit, qen që kërcënojnë sigurinë dhe shëndetin publik. Krejt kjo sepse institucionet si qëndrore ashtu edhe lokale e kanë anashkaluar gjendjen e qenve endacakë dhe asnjëherë nuk janë munduar të bëjnë zgjidhje afatgjate.

Qytetarët e Kosovës ende nuk kanë se ku të drejtohen për çfarëdo problemi apo ankese në lidhje me qenë endacakë, por edhe me kafshë në përgjithësi. Përveç njerëzve zemër mirë dhe aktivistëve që me forca të veta luftojnë për këto krijesa të gjora, dora e shtetit mbetet ende e pazgjatur për këtë kategori të ndijshme të komunitetit tonë.

Fondacioni ynë ka raportuar shumë shkelje të projekteve të KSVL dhe i bën thirrje institucioneve relevante që të marrin masa që këto shkelje dhe abuzime me fonde publike të mos përsëriten dhe shkelësit të dënohen sipas ligjit.

Fondacioni ynë i bën thirrje AUVK-së dhe pushtetit qëndror që ta marrë me seriozitet çështjen e qenve endacakë në mënyrë që të bëhet një zgjidhje afatgjate për këto krijesa duke u bazuar në ligjet në fuqi.