Na vjen keq dhe shqetësohemi shumë që disi, edhe qentë (përveç njerëzve) po bëhen viktimë e lojërave politike dhe “inateve” ndër partiake.
Sidoqoftë, duhet të themi që artikulli përmban kritika dhe sugjerime të cilat duhet ndërmarrë në përgjithësi, kur flasim mbi monitorimin e të gjitha insitucioneve që japin tendera për trajtimin e qenve endacakë; – jo siç është specifikuar këtu, vetëm në Komunën e Prishtinës, por në gjithë Kosovën.
E themi këtë, sepse gjatë vitit 2018 janë shpenzuar afërsisht 1.3 Milion euro, me të cilat, thuhet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, të jenë kastruar 14.000 qen endacakë në gjithë Kosovën. Ne, vazhdimisht kemi kërkuar t’i shohim të dhënat mbi kastrimet e deklaruara të qenve dhe që të jemi pjesë e transparencës së këytre proceseve, sidomos të kastrimeve, në mënyrë që të shohim se si shpenzohen paratë tona dhe po ashtu se a respektohet mirëqenia e qenve gjatë gjithë trajtimit. AUV-ja, nuk na ka dhënë qasje në dokumentat në të cilat kemi të drejtë të plotë të qasjes. Por për këtë shkelje nga ana e tyre, Instituti i Avokatit të Popullit është duke shqyrtuar rastin.
Për më shumë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka tenderuar edhe 111.000 euro tek Kompania MALAfarm, e cila është një kompani farmaceutike dhe që kinse është më e përshtatshmia për të bërë vetëdijesimin dhe informimin e qytetarëve mbi qentë endacakë. Në kontratë të tenderit, theksohet që kjo kompani duhet të vijë me një raport vjetor për aktivitetet e zbatuara mbi vetëdijësim, promovim dhe informim; por ja që, nuk ka asnjë raport mbi shpenzimin e parave të tatimpaguësve. Këtu, urgjentisht na duhet ndihma e zbatimit të monitorimeve, pasi që po flasim për keqpërdorim të fondeve publike.
Ne po ashtu, jemi vazhdimisht në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Komunën e Prizrenit mbi gjetjen e zgjidhjeve më të qëndrueshme të situatës së popullatës së qenve endacakë. Zgjidhje dhe masa të cilat patjetër anojnë po ashtu dhe me një rëndësi të madhe kah mbrojtja e mirëqenies së qenve endacakë, përveç mbrojtjës së njerëzve nga sulmet eventuale nga ata, të cilat vijnë pikërisht pse vet njerëzit sillën keq me ta (jo vetëm nga mungesa e kastrimit të tyre).
Edhe Komuna e Prishtinës edhe Komuna e Prizrenit, jane duke planifikuar edhe ndërtimin e një qendreje të quajtur “Qendra për Trajtim të Përkohshëm të kafshëve endacake” që parashihen me Udhëzimin Administrativ 04/2017. Do të thotë, për herë të parë në Kosovë, po ndërtohen diçka për kafshet endacake, në bazë të një dispozite ligjore që mbron mirëqenien e tyre.
Do të thotë, në këto dy komuna, po ndërtohet një qendër e cila do të menaxhohet nga vet ato dhe në të cilat do të punësojnë veterinerë të qendrës të cilët do të kryejn punën e kastrimeve dhe trajtimeve të ndryshme të kafshëve endacake, punë për të cilën në këtë rast, Qendra per Trajtim të Kafshëve në Harilaq është kontraktuar nga Komuna e Prishtinës.
Pikërisht për qendren e kontraktuar në Harilaq, kemi qënë në organizim e sipër me Komunën e Prishtinës edhe për – monitorimin e punës së tye; Organizata jonë ka bërë gjatë vitit 2018, afërsisht 60 vizita të subjekteve fituese të tenderit shtetëror të përmendur më lartë. Edhe projektet e tjera aktuale kanë nevojë për monitorim sa më të shpejtë! Gjatë javeve të ardhshme, së bashku me ‘Koordinatorin Nacional’ të qenve endacakë dhe Komunën e Prishtinës, do të bëhen monitorimet e punës në Harilaq.
Në Komunën e Prizrenit, veçse e kemi dritën e gjelbër për të monitoruar punën e ambulatorës veterinare fituese për këtë vit: “NTP Rudina”. Edhe vet veterinari përgjegjës i subjektit në fjalë, ka dhënë hapësirë për bashkëpunim në këtë aspekt.
Sulmet e qenve rrergullohen dhe përmirësohen, vetëm nëse i edukojme edhe qytetarët më shumë mbi raportet paqësore njeri-kafshë-natyrë.