Si të kujdeseni për kafshët nëse jeni të infektuar me COVID-19?

23 Mars, 2020 admin

Në bazë të informatave nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve, për momentin nuk ka asnjë të dhënë që tregon se kafshët si qentë e macet mund të sëmuren nga COVID-19. Duhet mbajtur mend që nganjëherë viruset mund të infektojnë një specie, por nuk mund të shkaktojnë sëmundje në atë specie e as të transmetohen tek speciet tjera.

Të gjitha këshillat e mëposhtme, janë marrë nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve dhe Institutcioni Federale i Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Zvicër: https://www.blv.admin.ch/blv/de/home/das-blv/auftrag/one-health/coronavirus.html (pasi që institucionet tona veterinare nuk japin asnjë keshillë për këtë gjendje).

  • Përkujdesuni më herët që të keni dikë që kujdeset për kafshën tuaj në rast se sëmureni. Bleni ushqim për së paku 2 javë për ju dhe kafshën tuaj.
  • Me qëllim të kujdesit, nëse jeni të infektuar me COVID-19, kufizoni kontaktin me kafshë, njejtë siç do të bënit me njerëzit tjerë. Nëse është e mundur, përkujdesuni që një anëtar tjetër i familjes të kujdeset për kafshët gjatë kohës së izolimit tuaj.
  • Nëse jetoni vetëm dhe nuk keni askënd që të kujdeset për ju dhe kafshën tuaj në rast të infektimit me COVID-19, shkruani një porosi në letër me kërkesë që të ju vizitojë ndokush kohë pas kohe për të kontrolluar a keni nevojë për ndihmë dhe vendoseni në derën kryesore të hymjes.
  • Shmangni kontaktin direkt me kafshët, duke përfshirë përkëdheljen, përqafimin dhe puthjet, si dhe mos e ndani ushqimin me kafshë.
  • Nëse ju duhet patjetër të keni kontakt dhe të kujdeseni per kafshët përderisa jeni të infektuar, vëni dorëza dhe maskë gjatë kontaktit. Qentë nga një familje në karantinë duhet të mbahen vetëm në lidhëse dhe shkurtimisht të nxirren në ajër të pastër në mënyrë që ata të plotësojnë nevojat e tyre. Kontakti me njerëzit e tjerë dhe kafshët duhet të shmanget gjithsesi. Masat e zakonshme të higjienës, siç është larja e rregullt e duarve, duhet të përdoren kur ndërveproni me kafshët. Larja ose dezinfektimi i qenve dhe maceve nuk janë të nevojshme.
  • Nëse kafshët shtëpiake sëmuren gjatë karantinës/izolimit tuaj dhe kanë nevojë për ndihmë veterinare, veterineri duhet të kontaktohet dhe të informohet në mënyrë të qartë për karantinën/izolimin në shtëpi.
  • Nëse kafsha juaj ka nevojë për intervenim mjekësor, kontaktoni veterinerin tuaj për të marrë informata se si po përkujdesen për pacientë në këtë kohë pandemie.
  • Maskat për kafshë janë inefektive në parandalimin e sëmundjeve të transmetuara nga spërkalat. Për të mbrojtur kafshën nga sëmundjet që shkaktojnë probleme me frymëmarrje, konsultohuni me veterinerin për terapinë e saktë. Bordetella dhe gripi i qenit, janë sëmundjet më të zakonshme të frymëmarrjes që mund të parandalohen përmes vaksinave të kafshëve.
  • Nëse njihni njerëz të moshuar, ose të tjerë që nuk mund të dalin për shkak të problemeve shëndetësore, ju inkurajojmë t’i vizitoni kohë pas kohe për tu siguruar që kanë ushqim, medikamente dhe furnizime të mjaftueshme, përfshirë për kafshët e tyre. Normalisht, gjithmonë duke pasur kujdes për shëndetin tuaj personal.