Reagim ndaj vendimit të AUVK-së për ndërprerjen e veprimtarisë së strehimorës së kafshëve endacake ‘Katër Putrat’ në Lipjan

6 Qershor, 2020 admin

Organizata jonë dje u njoftua rreth vendimit të AUVK-ës për ndërprerjen e veprimtarisë së strehimorës ‘Katër Putrat’ në Lipjan, e cila menaxhohet nga znj. Flora Bujupi.

Para këtij vendimi, organizata jonë ka mbajtur takim me zyrtarë të AUVK-ës pas shqetësimeve të ngritura të aktivistëve në lidhje me vizitën e inspektorëve të AUVK-ës në qendren ‘Kater Putrat’, ku ishte thënë në Facebook se inspektorët e AUVK-ës kanë thënë se do t’i eutanazojnë qentë e strehimores së Flora Bujupit.

Në këtë takim, kemi parë procesverbalin e vizitës, të cilin e kishte nënshkruar edhe znj. Bujupi. Në këtë procesverbal, askund nuk thuhej se qentë në strehimore do të eutanazoheshin – por që do të trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, që do të thotë, bazuar në Udhëzimin Administrativ 04/2017 – për qendrat e trajtimit të përkohshëm për kafshët endacake.

Edhe pse organizata jonë nuk dyshon aspak në qëllimin e mirë dhe human të znj. Bujupi dhe të atyre që kanë strehimore të kafshëve endacake, – është fakt se të gjitha strehimoret në Kosovë duhet t’i përmbahen udhëzimit administrativ për qendrat e trajtimit të përkohshëm të kafshëve endacake, sa i perket trajtimit të tyre – do të thotë të trajtohen me kastrim/sterelizim dhe vaksinim apo me vaksina te tjera të nevojshme për kafshët endacake që strehohen në ato strehimore.

Fatkeqësisht, qendra e menaxhuar nga znj. Bujupi (dhe shumë të tjera), nuk i plotësojnë kushtet për strehimore të mirëfilltë të kafshëve, nga numri i madh i qenve po thuajse në të gjitha strehimoret, përhapja e lehtë e viruseve (që në shumë raste dhjetra këlysh kanë vdekur në ato strehimore, si pasojë e përhapjes së shpejtë të viruseve vdekje-prurës në këto strehimore (gjë e cila është konfirmuar nga vet menaxherët e strehimoreve dhe nga aktivistë të besueshëm), mos regjistrimi i qenve në një databazë me foto dhe historikun shëndetësor të qenve, mungesë e kampanjave adoptuese që të mos stërmbushet strehimorja, mungesë e një qëndrueshmërie financiare që garanton trajtim mjekësor-veterinar dhe ushqyerje të mirëfilltë për qentë e strehimores).

Organizata jonë, disa herë i ka ofruar ndihmë znj. Bujupit, në formalizim dhe strukturimin e punës së saj në strehimore, mirëpo asnjëherë nuk ka marrë përgjegjje pozitive nga ajo, ngaqë në çdo vizitë që kemi pasur, ajo na thoshte se ‘shumë shpejt’ do ta mbyllë strehimoren sepse është punë e lodhshme të bëhët vetëm nga një person.

Anetarë të organizatës, disa herë kanë qenë në vizitë tek znj. Bujupi, dhe kanë parë kushtet në këtë strehimore. Ne nuk e akuzojmë për asgjë znj. Bujupi dhe nuk dyshojmë aspak në vullnetin e mirë të saj, andaj dhe dëshirojmë t’i ndihmojmë ne ose kushdo që ka njohuri se si duhet të funksionojë një strehimore.  Shpresojme që Flora Bujupi ta pranojë ndihmën tonë ose të kujtdo për një punë më të qendrueshme dhe më të garantueshme për qentë që ajo mbledhë. Vetëm me qëllime të mira nuk mbrohen të drejtat dhe mirëqenia e kafshëve, por edhe me veprime progresive të punës së strehimorëve në Kosovë.

Organizata jonë do t’i qëndrojë në krah të gjithë atyre që për momentin kanë strehimore, dhe që veprimtarinë e tyre ta kthejnë në një punë të mirëfilltë, transparente dhe duke dhënë llogari për çdo qen që futet dhe del nga strehimorja e tyre.

Ne edhe gjatë takimit të djeshëm me AUVK kemi sugjeruar që strehimoret mos të mbyllen menjëherë dhe krejtësisht, ngaqë në këtë fazë rrezikohet edhe jeta e qenve aty që ende kanë nevojë për strehim – nga fakti se janë rritur në strehimore – por t’i komunikohet strehimoreve që puna e tyre duhet të jetë më shumë e strukturuar në një nivel profesional dhe llogaridhënës, sepse po bëhet fjalë për qen të komunitetit.

Puna e shumë strehimoreve sigurisht ka qenë e motivuar nga vullneti i mirë i njerëzve dhe nga dhembshuria që kanë ndaj qenve, – por nuk mjafton vetëm dhembshuria ndaj tyre për t’i mbrojtur ata në mënyrë gjithpërfshirëse.

Nëse ne të gjithë si komunitet i të drejtave të kafshëve (apo vetëm të kafshëve endacake) nuk tregojmë seriozitet dhe punë të mirëfilltë sa i përket qenve apo kafshëve të tjera, atëherë institucionet përgjegjëse nuk do të merren as me ankesat tona drejt qenve të abuzuar me mbajtës ose me veterinerë të cilët abuzojnë duke mos ushtruar profesionin e tyre veterinar siç duhet.

Na lejoni të ju ndihmojmë që puna e juaj si strehimore të jetë e qëndrueshme, transparente dhe profesionale – sepse qentë meritojnë më shumë. Nëse kaq keni pasur mundësi të bëni dëri më sot, është momenti ku mund të rritemi edhe më shumë, se bashku.

Kurseni komentet jo thelbësore sepse edhe nëse 10 strehimore të tilla do t’i hapnim, qentë dhe macet e rruges ende vuajnë në çdo formë në rrugë – edhe në disa raste edhe në ato strehimore ku nuk shohin më asgjë përveç hapësirës ku jetojnë – as pa qenë të garantuar nga sëmundjet e ndryshme. Arsyeja kryesore pse strehimoret nuk funksionojnë siç duhet është:

  1. nga mos menaxhimi i duhur i strehimoreve nga menaxherët e këtyre strehimoreve
  2. nga vetëdija e ulët e shoqërisë për t’i ndihmuar strehimoret e tilla dhe
  3. nga mungesa e mbeshtetjes institucionale qysh e sa vite në këtë aspekt.

 

Qentë e patrajtuar (pa kastruar dhe sterelizuar) do të trajtohen nga cilido veterinar që znj. Bujupi preferon (ashtu siç na thanë AUVK) dhe nuk do të anohet nga AUVK për asnjë veterinar – ku znj. Bujupi vet e kontakton veterinarin e preferuar për trajtim të qenve.

Pas trajtimit, nëse analizohet së bashku me znj. Bujupi që disa qen mund të lirohen në rrugë, duhet të lirohen në rrugë (ashtu siç po e praktikon edhe Prishtina Dog Shelter dhe që ka rezultuar si gjë pozitive në disa raste) kurse qentë të cilët kanë nevojë për kujdes, të marrin kujdesin e nevojshëm dhe të punohet seriozisht në kampanja adoptuese për ta. Strehimoret kudo në botë, kanë programe dhe kampanja që promovojnë adoptimin e qenve dhe maceve – këtë gjë duhet ta bëjnë edhe strehimoret tona – nuk ka kuptim të mbledhim qen vazhdimisht, të mos kemi vend të mirëfilltë për ta as për t’i kryer nevojat e tyre dhe ku nuk kanë të garantuar asnjë vaksinë bazike nga mungesa e fondeve të qendrave.

Njëres prej strehimoreve jemi duke i ndihmuar me regjistrim si OJQ – ku puna e saj do të jetë në statutin e tyre dhe ku çdo gjë do të jetë e regjistruar dhe e formalizuar për të kryer punën e tyre siç duhet në strehimin e përkohshëm dhe adoptimin e kafshëve.