Përmes kësaj komunikate po shprehim shqetësimin tonë të thellë ndaj deklaratës së Ministrit të Shëndetësisë, z. Arben Vitia, përmes së cilës i njejti ka udhëzuar qytetarët që kanë kafshë shtëpiake t’i largojnë ato apo të kenë shumë kujdes ndaj tyre.
Fillimisht, ju sqarojmë se Organizata jonë është e vetëdijshme rreth seriozitetit të situatës me pandeminë COVID-19, dhe pajtohet fuqimisht me masat e Qeverisë për parandalim të shpërndarjes së këtij virusi, përderisa ato janë të bazuara në fakte konkrete nga burime kredibile si OBSH dhe janë në pajtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.
Një ditë më herët, ne si organizatë duke qenë të vetëdijshëm për situatën por edhe të përgjegjshëm ndaj punës që bëjmë, kemi shpërndarë një postim në Facebook me informata rreth koronavirusit dhe kafshëve shoqëruese. Ky artikull informativ është krijuar në bazë të këshillave dhe informatave zyrtare nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Komuniteti Global i Veterinerëve (WSAVA) dhe Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (OIE).
Të gjitha këto organizata, në gjetjet e tyre, kanë ardhur në përfundim që për momentin, nuk ka rrezik që kafshët shoqëruese të transmetojnë virusin COVID-19 tek njerëzit.
Përveç kësaj, në një kohë kur Kosova përballet me braktisje enorme dhe një numër të madh të kafshëve endacake, thirrja e Ministrit Vitia për braktisje të kafshëve pa u siguruar një zgjidhje për ato kafshë, përveç që është e kundërligjshme, e thellon edhe më tej problemin e kafshëve endacake.
Në linqet më poshtë mund t’i gjeni të detajuara qëndrimet e organizatave të lartë-cekura.
Postimi i Fondacionit: https://animalrights-rks.org/koronavirusi-dhe-kafshet-shoqeruese/
Organizata Botërore e Shëndetësisë:
- “Ndërsa ka pasur një rast të një qeni të infektohet në Hong Kong, deri më tani, nuk ka asnjë provë që një qen, mace ose ndonjë kafshë shtëpiake mund të transmetojnë COVID-19.”https://www.who.int/news-room/q-a-detail/q-a-coronaviruses
Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve:
- “Përhapja e tanishme e COVID-19 është rezultat i transmetimit ndërnjerëzor. Deri më tani, nuk ka asnjë provë që kafshët shoqëruese mund të përhapin sëmundjen. Prandaj, nuk ka asnjë justifikim në marrjen e masave kundër kafshëve shoqëruese që mund të rrezikojnë mirëqenien e tyre.Shërbimet Veterinare të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut të Republikës Popullore të Kinës raportuan se një qen kishte testuar pozitiv ndaj virusit COVID-19 pas ekspozimit të afërt ndaj pronarëve të tij që ishin të sëmurë me COVID-19.Testi, i kryer nga PCR në kohë reale, tregoi praninë e materialit gjenetik nga virusi COVID-19.
Qeni nuk po tregonte ndonjë shenjë klinike të sëmundjes.Nuk ka prova që qentë luajnë një rol në përhapjen e kësaj sëmundjeje njerëzore ose se sëmuren. Studime të mëtutjeshme janë të nevojshme për të kuptuar nëse dhe si kafshë të ndryshme mund të preken nga virusi COVID-19.
Nuk ka prova që të mbështesin kufizimet në lëvizjen ose tregtinë e kafshëve shoqëruese.”
Komuniteti Global i Veterinerëve:
- “Aktualisht ka prova të kufizuara që kafshët shoqëruese mund të infektohen me SARS-Cov-2 dhe nuk ka dëshmi se qentë ose macet mund të jenë një burim infeksioni për kafshët e tjera ose te njerëzit.Edhe pse nuk ka pasur raporte për kafshë shtëpiake ose kafshë të tjera që sëmuren me COVID-19, derisa të dimë më shumë, mbajtësit e kafshëve shtëpiake duhet të shmangin kontaktin me kafshët e panjohura dhe gjithmonë duhet t’i lajnë duart para dhe pas ndërveprimit me kafshët.”https://wsava.org/news/highlighted-news/the-new-coronavirus-and-companion-animals-advice-for-wsava-members/