Puna profesionale e disa veterinerëve përgjatë projektit shtetëror për kastrim dhe sterelizim

23 Maj, 2020 admin

Me të filluar projekti i menaxhimit dhe kontrollit të qenve endacakë përmes metodës KSVL, organizata jonë, menjëherë kanë filluar vizitat nëpër qendrat e trajtimit të përkohshëm të subjekteve të kontraktuara në këtë projekt.

Organizata jonë, me përkushtim maksimal do të sigurohet për mbarëvënien e këtij projekti, duke kërkuar përkushtim maksimal profesional nga veterinerët, në mënyrë që përmes këtij projekti, të rritet mirëqenia e qenve endacakë në maksimum.

Deri më tani, janë realizuar 37 vizita tek subjektet veterinare të kontraktuara.

Në këto vizita, Organizata jonë ka hasur në punë jashtëzakonisht profesionale, por ka hasur poashtu në punë joprofesionale, e shkaktuar kryesisht nga neglizhenca e disa subjekteve të kontraktuara.

Deri më tani, pas gjetjeve tona, një subjektit veterinere i është pezulluar puna përkohësisht (nga AUVK), për shkak të punës joprofesionale.

Mirëpo, jo krejt subjektet veterinere po bëjnë punë joprofesionale. Gjatë vizitave tona, kemi hasur në veterinerë shumë profesionalë, të përkushtuar maksimalisht që puna e tyre të shkojë si është më së miri.

Shumica e veterinerëve, janë shumë të hapur për bashkëpunim, sidomos me organizatën tonë, duke qenë shumë të hapur ndaj kritikave dhe sygjerimeve për përmirësimin e punës së tyre në këtë projekt. Nëse jemi të gjithë të bashkuar në këtë projekt, atëherë edhe rezultatet e këtij projekti do të jenë maksimale.

Organizata jonë u bën thirrje të gjithë subjekteve të kontraktuara në këtë projekt për përkushtim maksimal profesional e human, gjithmonë duke u bazuar në ligjin NR.2004/21 për Veterinarinë, ligjin NR. 02/L-10 për përkujdesjen ndaj kafshëve, si dhe udhëzimin administrativ të MBPZHR – NR.04/2017 për kushtet teknike të cilat duhet plotësuar qendrat e trajtimit të përkohshëm të qenve endacakë.

Organizata jonë do të angazhohet maksimalisht për raportim të drejtë të vizitave monitoruese nëpër subjektet veterinere të kontraktuara, qofshin ato raporte të mira apo jo, gjithmonë duke u bazuar në fakte dhe ligjet në fuqi.

Ne shpresojmë shumë që edhe AUVK, edhe subjektet e kontraktuara veterinere, do të vazhdojnë me seriozitet punën deri në përfundim të këtij projekti, ashtu që në fund mirëqenia e kafshëve të rrugës të përmirësohet dukshëm.