Mungesa e bashkëpunimit nga subjekti veterinar “Goni” në Ferizaj

10 Korrik, 2020 admin

Subjekti veterinar A.V. “Goni”, me bartës të projektit, veterinari Agron Pajaziti, i kontraktuar në projektin shtetëror të menaxhimit të popullatës së qenve endacakë përmes metodës KSVL, nuk po tregohet transparent dhe bashkëpunues aspak.

Edhe pse organizata jonë është e autorizuar të monitorojë punën në këtë projekt, ky subjekt veterinar, për çfarëdo arsye, ka tentuar të pengojë punën tonë, duke vendosur orare dhe kushte të vizitave, të cilat nuk janë të parapara me autorizimin që kemi nga AUVK.

Një nga këto pengesa, është vendosja e orarit të caktuar për vizita (çdo ditë, prej 13:30 – 15:00). Edhe pse ky orar nuk vlen për organizatën tonë, për të mos dashur të pengojmë punën e veterinerëve, prapë se prapë jemi munduar ta respektojmë. Mirëpo ky orar, nuk është respektuar nga të njëjtit veterinerë të cilët e kanë vendosur fillimisht. Madje, sipas tyre, ky orar është caktuar enkas për viziat e anëtarëve të Fondacionit dhe prap se prap, nuk respektohet nga A.V. Goni.Një çështje tjetër që vë dyshime në punën e këtij subjekti veterinar, është edhe mungesa totale e transparencës në kapje dhe lëshim të qenve. Edhe pse kemi kërkuar shumë herë të na ftojnë në kapje dhe lëshim të qenve, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Shumë premtime nga ky subjekt që do të na ftojnë në kapje dhe lëshim, por edhe kjo asnjëherë nuk ka ndodhur.Kapja duhet të bëhet në mënyrë njerëzore, pa forcë dhe të shkaktojë shqetësim të panevojshëm për qenin. Lëshimi gjithashtu duhet të bëhet pa dëm, kur qentë janë shëruar mirë dhe sillen përsëri në vendin e saktë ku janë kapur. Ndryshimi i territorit të qenve, i shkakton probleme shoqërisë dhe vetë qenve.

Ekipi veterinar në Ferizaj, nuk na lejojnë të hyjmë në sallën kirurgjike, ngaqë po ofendohen veterinerët kur po i gjejmë duke punuar, pa dorëza sterile apo kur vendi ku hospitalizohen qentë, nuk është shumë i pastër. AUVK ka ndaluar hyrjen tonë në salla të operimit edhe kur veterinerët nuk janë duke operuar. Kështu, nuk mund të shohim se çfarë pajisje përdorin veterinerët.
Pra, si mund t’i besojmë një subjekti veterinar, i cili vendos pengesa dhe kushte në punën tonë, të cilat më pastaj edhe vet nuk i respekton?

Plagët e qenve deri më tani, nuk kemi pasur mundësi që t’i shohim mirë, por ato që i kemi parë, ishin në rregull. Gjithsesi i bëjmë thirrje aktivistëve të Ferizajit, ta monirtojnë situatën në rrugë dhe ta kontrollojnë çdo qen me vath të verdhë dhe të na njoftoi menjëherë nëse shohin diçka jo në rregull.Ne kemi pranuar shumë ankesa nga qytetarë e aktivistë të Ferizajit, për prani të qenve me vathë në territore në të cilat nuk janë parë asnjëherë më parë. 

Nëse kësaj ja shtojmë edhe faktin që ky subjekt veterinar nuk bashkëpunon me neve sa i përket kapjes dhe lëshimit, atëherë kjo ngre dyshime të mëdha në punën e drejtë të këtij subjekti në procedurën e kapjes dhe lëshimit.

I bëjmë thirrje AUVK që t’i marrë me më shumë seriozitet ankesat drejt këtij subjekti veterinar, dhe të marrë masat e duhura që çdo proces i punës të kryhet profesionalisht dhe me transparencë të plotë.

 

 

 

 

 

 

© Fondacioni për të drejtat e Kafshëve
Prishtinë, 10 Korrik, 2020