Luani i mbyllur në kafaz në Gjilan

2 Dhjetor, 2019 admin

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka bërë kërkësë zyrtare drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të kuptuar se cilat masa janë duke u ndërmarrë mbi çështjen e Luanit të mbajtur në restorantin “Maja e Zezë” në Gjilan.

Ministria e Mjedisit është e mandatuar që të jetë përgjegjëse për secilen kafshë të egër që futet në Kosovë andaj edhe kemi reaguar dhe një pjesë të kërkesës dhe gjendjës aktuale të masave institucionale mbi rastin e luanit, mund ta lexoni më poshtë:

1.1.Me datë 20 nëntor një numër i madh i personave kanë shpërndarë në rrjetet sociale lajmin se në qytetin e Gjilanit, fshatin Livoq i Ulët, resortin – restorantin “Maja e Zezë” është duke u mbajtur i izoluar një luan. Pas reagimit të bërë nga ana e Fondacionit, zyrtarët e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (tutje referuar si “AUVK”), përkatësisht zëdhënësi për informim i AUVK, z. Lami Thaci, në një prononcim për mediumin “Koha.net”, ka deklaruar se AUVK nuk ka asnjë të dhënë se luani i është nënshtruar kontrollit doganor. Poashtu, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, z. Adriatik Stavileci ka deklaruar për të njëtin medium se, nuk kanë të dhëna se luani i është nënshtruar kontrollit doganor. I njëjti poashtu, ka deklaruar se ekziston mundësia që luani të jetë kontrabanduar.

Provë: Artikulli “Luani i cili po mbahet i mbyllur në kafazin e një restoranti në Gjilan, dyshohet se është kontrabanduar” i publikuar më datë 21.11.2019 nga Koha.net.

1.2. Ashtu siç kemi marr informatë nga AUVK, të njëtit pas një inspektimi të bërë në resortin – restorantin Maja e Zezë në Gjilan, kanë konstatuar se mbajtësi i luanit në fjalë nuk posedon asnjë dokumentacion me të cilin provohet se luani është futur ligjerisht në Republikën e Kosovës dhe sipas tyre lidhur me këtë fakt, institucionet kompetente duhet që t’i ndërmarrin masat e duhura.

1.3. Siç kanë deklaruar edhe zyrtarët pranë AUVK dhe zyrtarët pranë Doganave të Kosovës më datë 21.11.2019, si dhe ashtu siç kemi marrë së fundi informacion nga ana e AUVK, ekziston dyshimi se luani në fjalë është importuar kundërligjshëm në Republikën e Kosovës.

2. BAZA LIGJORE PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE

2.1. Fillimisht duhet të potencohet fakti se arsyeja që ne po i drejtohemi Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (tutje referuar si “Ministria”) për qasje në dokumente publike, është se në bazë të Ligjit nr. 03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës (tutje referuar si “Ligji për Mbrojtjen e Natyrës”) si dhe në bazë të Udhëzimit Administrativ nr. 26/2012 për Qarkullimin Ndërkufitar dhe Tregtinë me Llojet e Egra të Mbrojtura (tutje referuar si “Udhëzimi Administrativ nr.26/2012”) Ministria është organi kompetent pranë të cilit duhet të merret leja për ta importuar një kafshë të egër në Republikën e Kosovës.

2.2. Pra çështja e importimit të kafshëve të egra në Republikën e Kosovës është e rregulluar në detaje me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës si dhe me Udhëzimin Administrativ nr.26/2012. Në nenin 101, paragrafi 1, në lidhje me nenin 7, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.27, të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, shprehimisht parashihet se Ministria është organi kompetent që të bëjë nxjerrjen e vendimit nëse një kafshë e egër mund apo nuk mund të hyjë në Republikën e Kosovës.

Ky vendim i Ministrisë, merret pasi që subjekti i cili dëshiron të importoj një kafshë të egër në Republikën e Kosovës të paraqet kërkesën për marrjen e lejës për importimin e kafshës së tillë. Procedura për paraqitjen e kërkesës për marrjen e lejës për importimin e kafshës së egër siç është luani, parashihet me nenin 36 të Udhëzimit Administrativ nr. 26/2012. Në nenin 36, paragrafi 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 26/2012 parashihet se kërkesa për marrjen e lejës për importim duhet që t’i parashtrohet Ministrisë para se të bëhet importimi i kafshës së egër.

2.3. Në Udhëzimin Administrativ nr. 26/2012, tek i cili na referon neni 101, paragrafi 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, janë të bashkangjitura edhe lista e kafshëve të cilat janë të mbrojtura dhe për të cilat importi është i ndaluar apo i kufizuar. Në rastin konkret është e rëndësishme të potencohet se në Shtojcën I dhe në Shtojcën VI është e caktuar se edhe luani apo siç njihet shkenctarisht si Panthera leo persica ose Panthera leo, është kafshë e egër e mbrojtur.

2.4. Përveç lejës e cila duhet siguruar nga Ministria, në rast të importit të kafshës Panthera leo apo Panthera leo persica, importuesi detyrimisht duhet që ta lajmëroj edhe shërbimin doganor. Nëse kafsha e cila është duke u importuar në Republikën e Kosovës është lloji i egër i mbrojtur, atëherë shërbimit doganor i prezantohet leja e cila parapakisht duhet siguruar nga ana e Ministrisë.

2.5. Importuesi i një kafshe të egër, është i detyruar që edhe nëse kafsha e egër nuk hyn në grupin e kafshëve të egra të mbrojtura, ta njoftoj Ministrinë për importimin që e bënë. Në nenin 11, të Udhëzimit Administrativ nr. 26/2012, përcaktohet detyrimi i importuesit që t’a ndjek procedurën doganore edhe nese kafsha e cila futet në Republikën e Kosovës nuk është e paraparë shprehimisht në Shtojcat nga I deri në X.

2.6. Është e pakontestueshme se personi që ka bërë importimin e luanit, i cili gjendet në resortin – restorantin Maja e Zezë, është dashur që t’i nënshtrohet procedurave ligjore për importimin e kafshës së tillë në territorin e Republikës e Kosovës. Duke qenë se Fondacioni është themeluar për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, atëherë është më se e domosdoshme që të njëjtit t’i lejohet qasja në dokumente publike, përkatësisht të njoftohet lidhur me faktin se cilat veprime janë ndërmarrë deri më tani nga ana e Ministrisë lidhur konstatimin e ligjshmërisë së importimit të luanit në fjalë, si dhe t’i ofrohet i gjithë dokumentacioni zyrtar lidhur me veprimet e ndërmarra.