Për: Këshillin e Mediave të Shkruara
Nga: Të Bashkuar për Kafshët (OJQ) dhe Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve
Titulli: Lajme tendencioze, jo profesionale dhe me qëllim të nxitjes së panikut nga Gazeta Express
Subjekti: Gazeta Express – ndjellë frikë dhe urrejtje ndaj qenve endacakë
ANKESA
Më 09.01.2019 Gazeta Express ka publikuar një të ashtuquajtur lajm në faqen e vet. Lajmi i publikuar përmban informata të gabueshme të cilat kanë për qëllim nxitjen e panikut publik. Gjithashtu, i ashtuquajturi lajm nuk përmbush kërkesat minimale të profesionalizmit gazetar.
“Qytetarët e lagjes “Dardania” të rrezikuar nga qentë endacakë. ”Në Lagjen Dardania, sikur në të gjitha lagjet tjera në Prishtinë, ka qenë endacak. Qentë endacak në qytete të mëdha kanë kaluar nëpër proces te identifikimit dhe trajtimit. Kjo do të thotë që ata janë vlerësuar për agresivitet, dhe qentë agresiv janë eutanizuar. Qentë me vathë në rrugë të qyteteve të mëdha janë të sterilizuar dhe vaksinuar kundër sëmundjeve. Kjo do të thotë që niveli qendror dhe komunat individuale janë të angazhuara në trajtimin afat-gjatë të qenve endacak në vend. Kjo do të thotë se kjo pjesë e citatit të qytetarit të sulmuar: “Komuna është në gjumë të thellë sa i përket çështjes me qentë endacakë nuk merren masa dhe dita ditës me shumë janë duke u sulmuar qytetarët” nuk është balancuar me të dhëna faktike. Si e tillë, Gazeta Express ka dështuar të përmbushë rolin e saj në raportimin e të vërtetës për publikun, duke përdorur një citat për të parashtruar opinionin e mediumit.
Nga ana tjetër, Gazeta Express përdor citatin e qytetarit të sulmuar, si dhe një qytetareje tjetër për të parashtruar një opinion final mbi rrezikimin e qytetarëve. Citatet e llojit Vox Populi nuk përbëjnë baza faktike të vlerësimit të një situate, dhe në media globale në përgjithësi konsiderohen mjete gazetareske për të ngjyrosur një lajm, dhe jo për të definuar bazën faktike. Prandaj, i ashtuquajturi lajm nga Gazeta Express mund të interpretohet si nxitje e urrejtjes dhe panikut publik dhe jo një lajm të mirëfilltë dhe përçim të së vërtetës.
Në fakt, në Kosovë, nuk ka statistika zyrtare për numrin e sulmeve nga kafshët endacake. Evidentimi për qëllime të brendshme nga organizatat e shoqërisë civile dhe shtetit tregon se si përqindje e popullatës, sulmet nga kafshët endacake në Kosovë janë shumë më të vogla se në vendet perëndimore.
Si rezultat i të ashtuquajtur lajmeve si Gazeta Express ne kemi parë tentativa të vazhdueshme të vigjilantizmit qytetar të cilat ua thyejnë këmbët qenve, i rrahin dhe në mënyra të tjera ushtrojnë dhunë mbi ta. Si rezultat i këtij vigjilantizmi, ne aktivistët së bashku më donatorë dhe vet shtetin detyrohemi të mbajmë koston e kujdesit për ta.
Kjo informatë është tejet e pabazë. Përveç që është një opinion i pa substancializuar i shkrimtarit/es të këtij “lajmi”, ai gjithashtu është i gabuar. Qentë në lagjen Dardania janë të rregullt dhe të njëjtin vend vazhdimisht. Kjo për shkak se qytetarët, dhe fëmijët e tyre i ushqejnë, luajnë me ta dhe kujdesen për ta në baza të rregullta.
Si rezultat, ne kërkojmë që GazetaExpress të lëshojë një kërkesë falje të menjëhershme për shpërndarjen e lajmeve të rrejshme me tendenca të inicimit të panikut dhe të plotësojnë lajmin në fjalë me informata dhe të dhëna të sakta.
Sinqerisht,
Organizata Të Bashkuar për Kafshët
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve