Komuna e Gjilanit dhe Agro Group Fauna nuk përgjigjen për 10.000 euro të shpenzuara për trajtimin e qenve endacak

2 Dhjetor, 2019 admin

Kërkesa e plotë e dërguar tek zyrtarët përgjegjës sa i përket tenderit: “Trajtimi i qeneve endacak me numër identifikues 651-19-6045-2-3-6, me numër të brendshëm GI 651 19 079 236”

KOMUNËS SË GJILANIT

NGA: Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve

DATË: 22 nëntor 2019

Konform neneve 4 dhe 10 të Ligjit nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, (tutje referuar si “Ligji për Qasje në Dokumente Publike), Fondacioni nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar parashtron:

KËRKESË për QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE

1.1. Fondacioni është themeluar më datë 12.04.2018 dhe operon në Kosovë konform legjislacionit te Republikës së Kosovës. Në aktet e themelimit të Fondacionit është shprehimisht i theksuar qëllimi i Fondacionit. Fondacioni është themeluar me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të kafshëve. Gjithashtu, qëllim i Fondacionit është që të bëjë promovimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të ligjeve dhe etikës për mbrojtjen e kafshëve si dhe promovimin e marrëdhënieve midis njerëzve dhe kafshëve, në nivel kombëtar, po ashtu edhe ndërkombëtar.

1.2. Me datë 11.09.2019,Komuna e Gjilanit në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, (tutje referuar si “Komuna e Gjilanit”) dhe “ZijahIdrizi” B.Iemri tregtar N.T.SH.”FAUNA”, (tutje referuar si “N.T.SH. “Fauna”) në cilësinë e Operatorit Ekonomik, kanë lidhur Kontratë Shërbimi – Trajtimi i qenve endacak me numër identifikues 651-19-6045-2-3-6, me numër të brendshëm GI 651 19 079 236, (tutje referuar si “Kontratë – Trajtimi i qenve endacak me numër identifikues 651-19-6045-2-3-6”).

Provë: Kontratë Shërbimi – Trajtimi i qeneve endacak me numër identifikues 651-19-6045-2-3-6, me numër të brendshëm GI 651 19 079 236, e lidhur në mes të Komunës së Gjilanit dhe N.T.SH. “Fauna”.

1.3. Nga monitorimi në teren, stafi i Fondacionit ka vërejtur një mori parregullsish që kanë të bëjnë me realizmin e kontratës Trajtimi i qeneve endacak me numër identifikues 651-19-6045-2-3-6. Fondacioni ka dyshim se këto parregullësi të cilat kanë ndodhur gjatë realizimit të kontratës për Trajtimin e qenve endacak me numër identifikues 651-19-6045-2-3-6, kanë konsistuar në shkeljen e të drejtave të kafshëve. Lidhur me realizmin e kësaj kontrate, Fondacioni ka vërejtur dhe ka marrë informacion se : Qentë me vathë në vesh, të kastruar dhe të vaksinuar në vitin 2018 më nuk gjenden në rrugë, përkatësisht në qendër të Gjilanit, në vendin ku kanë qëndruar për një kohë të gjatë. Shqetësues është edhe fakti se shumë qenë të vendeve të tjera po lëshohen në rrethinë të Gjilanit dhe disa edhe po arrijnë që të vijnë në qendër. Do të thotë, ka qen endacak të ardhur rishtazi dhe kurrë të parë më herët kurse ata që ishin nuk janë më aty.

1.4. Duke qenë se Komuna e Gjilanit në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, ka pasur për detyrë të bëjë inspektimin e zbatimit të kësaj Kontrate, atëherë e njëjta padyshim se posedon apo duhet të posedojë informacione, fakte, dokumentet, në lidhje me përmbushjen e kësaj kontrate.

1.5. Duke qenë se qëllimi i Fondacionit është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të kafshëve, atëherë i njëjti parashtron kërkesën që të ketë qasje në:

  • Listat e raportuara të qenve të trajtuar nga N.T.SH. “Fauna”;
  • Të dhënat lidhur me numrin e qenve të kastruar, dhe identifikimin me foto të qenve të kastruar dhe po ashtu të qeneve që janë eutanazuar;
  • Adresa e Strehimores ( Qendrës së Trajtimit) ku kanë qëndruar qentë pas kastrimit;
  • Metoda e Raportimit që është kërkuar nga N.T.SH “Fauna” për punën e kryer;
  • Dhe të dhëna të tjera të cilat opertori ekonomik është i detyruar që t’i mbajë konfrom nenit 17, të Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) – Nr. 04/2017 për Kushtet Teknike të Cilat duhet Plotësuar Qendra e Trajtimit të Përkohshëm të Kafshëve Endacake.

1.6. Neni 3 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2. i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, përcakton nocionin e dokumentit publik si ” Dokument Publik– nënkupton çdo akt, fakt apo informatë në formë elektronike apo me zë, formë të shtypur, në incizime vizuale apo audiovizuale të prodhuara apo mbajtura nga institucioni publik“, ndërsa nën paragrafi 1.3. i këtij neni parasheh se “Informacion – nënkupton, por nuk kufizohet në, të dhëna, fotografi, vizatime, video, film, raport, akt, tabelë, projekte, drafte ose shtesa të tjera, të cilat prodhohen, pranohen, mbahen ose kontrollohen nga institucionet publike, pavarësisht nëse janë të përfshira në ndonjë dokument, si dhe pavarësisht burimit, kohës së krijimit, vendit të depozitimit ose ruajtjes, mediumin ose formën në të cilën gjendet, emrit ose institucionit publik në emër të cilit është krijuar ose çfarëdo karakteristike tjetër“. Në kuptim të kësaj dispozite, informacionet e kërkuara si në pikën 1.5. të kësaj kërkese, i ka në dispozicion Komuna e Gjilanit, pasi që në nenit 9 të Kontratës dhe nenit 81, të Ligjit Nr.04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës (tutje referuar si “Ligji për Prokurim”), parashihet detyrimi i autoritetit kontraktues, në këtë rast Komunës së Gjilanit që të bëjë menaxhimin e kontratës, dhe të kërkojë dokumentacionin përkatës nga operatori ekonomik, me qëllim që të bëhet vlerësimi se a janë duke u kryer punët në përputhje me kontratën dhe legjislacionin në fuqi.

1.7. Pra, në nenin 81 të Ligji për Prokurim është paraparë që Autoriteti Kontraktues në këtë rast Komuna e Gjilanit të bëje kontrollimin e dokumentacionit në lidhje me ekzekutimin e kontratës. Në rrethana të tilla është e pakontestueshme që Komuna e Gjilanit i ka të gjitha të dhënat se si është realizuar kontrata Trajtimi i qeneve endacak me numër identifikues 651-19-6045-2-3-6.

1.8. Neni 4 i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike parasheh se ” E drejta për qasje në dokumente publike e secilit person, si dhe garantimi dhe përmbushja e kësaj të drejte nga ana e institucioneve publike përbën një prej themeleve të institucioneve demokratike dhe transparente” Neni 10 paragrafi 1 i këtij Ligji parasheh se “Secili person ka të drejtë për qasje në dokumente publike në bazë të kërkesës.” Këto akte ligjore, gjejnë bazueshmëri edhe në normat kushtetuese me të cilat rregullohet çështja e qasjes në dokumentet publike. Neni 41 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, parasheh se “Secili person gëzon të drejtën të qasjes në dokumente publike. Dokumentet që mbajnë institucionet publike dhe organet e pushtetit shtetëror, janë publike, me përjashtim të informacioneve që janë të kufizuara me ligj, për shkak të privatësisë, të sekreteve afariste ose të informacioneve të klasifikuara të sigurisë“. Në kuptim të këtyre dispozitave, e drejta e Fondacionit si subjekt i së drejtës që te ketë qasje në Dokumentet Publike të kërkuara si në paragrafin 1.5. është e drejtë e garantuarme Kushtetutë dhe e njëjta duhet të realizohet nga ana e organit publik në këtë rast Komunës e Gjilanit, e cila i mbanë informacionet e kërkuara.

1.9. Ndër të tjera, duke e parë rëndësinë që e ka kryerja e punëve në interes të përgjithshëm dhe shfrytëzimi i fondeve publike, me nenin 1, të Ligji për Prokurim Publik shprehimisht parashihet që njëri prej qëllimeve të këtij ligji është ngritja e transparencës lidhur me shfrytëzimin e fondeve publike. Sigurimi i transparencës gjatë aktiviteteve të prokurimit është i rregulluar shprehimisht në nenin 10 të Ligjit për Prokurim Publik dhe me nenin 6, të Ligjit nr. 05/L-068 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës, i Ndryshuar dhe Plotësuar me Ligjin nr. 04/L-237 (tutje referuar si “Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Prokurim Publik”). Në nenin 6, paragrafi 2 dhe paragrafin 3, të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Prokurim Publik parashihet shumë qartë se pala e cila ka interes, ka të drejtë që të ketë qasje në të gjithë dokumentacionin që ekzisiton lidhur me aktivitetin e prokurimit, qoftë dokumentet që janë lëshuar në fillim të procedurës së prokurimit, gjatë ekzekutimit të kontratës apo edhe pasi që është mbyllur kontrata.

1.10. Në rastin konkret është i pakontestueshëm fakti që Fondacioni është palë e interesuar. Fakti se Fondacioni është palë e interesuar vërtetohet nga vetë qëllimi për të cilin është themeluar ky Fondacion. Ashtu siç është cekur edhe më lartë, qëllimi i Fondacionit është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të kafshëve. Duke qenë se në rastin konkret kemi të bëjmë me një kontratë e cila ka të bëjë me trajtimin, përkatësisht me menaxhimin dhe kontrollin e kafshëve, atëherë ky aktivitet i prek direkt intresat dhe qëllimet e Fondacionit e që janë mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të kafshëve. Pra, veprimet të cilat janë ndërmarrur nga ana e operatorit ekonomik fitues N.T.SH. Fauna, të cilat përfshijnë: nxënjen, bartjen, kastrimin, sterilizimin dhe në raste të nevojshme dhe përdorimin e eutanazisë si masa më e rëndë, i prekun direkt të drejtat e kafshëve dhe me qëllim që të konstatohet se gjatë kryerjes së punëve nga ana e N.T.SH. Fauna a janë respektuar të drejtat e kafshëve dhe a është bërë menaxhimi i drejtë i parasë publike konfrom legjislacionin në fuqi, atëherë është e domosdoshme që Fondacionit t’i ofrohen të dhënat e kërkuara si në pikën 1.5 të kësaj shkrese.

Prandaj, duke u bazuar në të cekurat si më lartë, marrë për bazë dispozitat ligjore dhe kushtetuese, kërkoj nga Komuna e Gjilanit që brenda afatit ligjor të marrë këtë:

V E N D I M

  1. APROVOHET Kërkesa e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve që të ketë Qasje në Dokumentet Publike në Komunën e Gjilanit.
  2. I LEJOHET Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, që të ketë qasje në Dokumentet Publike që mbahen nga Komuna e Gjilanit, dhe atë: 1. Listat e raportuara të qenve të trajtuar nga N.T.SH. “Fauna”; 2. Të dhënat lidhur me numrin e qenve të kastruar, dhe identifikimin me foto të qenve të kastruar dhe po ashtu të qeneve që janë eutanazuar; 3. Adresa e Strehimores ( Qendrës së Trajtimit) ku kanë qëndruar qentë pas kastrimit; 4. Metoda e Raportimit që është kërkuar nga N.T.SH “Fauna” për punën e kryer; dhe 5. Të dhëna të tjera të cilat opertori ekonomik është i detyruar që t’i mbajë konfrom nenit 17, të Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) – Nr. 04/2017 për Kushtet Teknike të Cilat duhet Plotësuar Qendra e Trajtimit të Përkohshëm të Kafshëve Endacake.