Në janar të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) përkohësisht e emëroi virusin e ri si koronavirus 2019 (2019-nCoV). Sidoqoftë, më 11 shkurt u emërua përfundimisht SARS-Cov-2 dhe sëmundja e shkaktuar nga ky virus u emërua “Sëmundja Coronavirus 2019” (shkurtimisht “COVID-19”).
Edhe pse në Kosovë nuk ka raste të konfirmuara zyrtarisht, përhapja e COVID-19 po shkakton shumë frikë dhe pasiguri. Ky virus është gjithashtu një kërcënim për mirëqenien e kafshëve shoqëruese pasi disa mbajtës shqetësohen se kafshët shtëpiake mund të përhapin virusin.
Përhapja e tanishme e COVID-19 është rezultat i transmetimit nga njeriu në njeri. Deri më tani, nuk ka asnjë provë që kafshët shtëpiake mund të përhapin sëmundjen. Prandaj, nuk ka asnjë justifikim në marrjen e masave kundër kafshëve që mund të rrezikojnë mirëqenien e tyre. Ne jemi të vetëdijshëm për çështje që lidhen me braktisjen e kafshëve shtëpiake në Kosovë dhe shpresojmë se këto informacione do të jenë të dobishme për të gjithë mbajtësit e kafshëve dhe veterinerët në të gjithë vendin në trajtimin e shqetësimeve të klientëve të tyre.
- Aktualisht ka prova të kufizuara që kafshët shoqëruese mund të infektohen me SARS-Cov-2 dhe nuk ka dëshmi se qentë ose macet mund të jenë një burim infeksioni për kafshët e tjera ose te njerëzit.
- Edhe pse nuk ka pasur raporte për kafshë shtëpiake ose kafshë të tjera që sëmuren me COVID-19, derisa të dimë më shumë, mbajtësit e kafshëve shtëpiake duhet të shmangin kontaktin me kafshët e panjohura dhe gjithmonë duhet t’i lajnë duart para dhe pas ndërveprimit me kafshët.
- Nëse jeni të infektuar me COVID-19, duhet të kufizoni kontaktin me kafshët shtëpiake dhe kafshët tjera, ashtu si do të vepronit rreth njerëzve të tjerë. Edhe pse nuk ka raportime për kafshë shtëpiake ose kafshë të tjera që sëmuren me COVID-19, prapëseprapë rekomandohet që personat e sëmurë me COVID-19 të kufizojnë kontaktin me kafshët derisa të dihen më shumë informacione rreth virusit.
- Shërbimet Veterinare të Rajonit të Veçantë Administrativ të Hong Kongut të Republikës së Popullit të Kinës raportuan para OIE se një qen kishte testuar pozitiv ndaj virusit COVID-19 pas ekspozimit të afërt ndaj pronarëve të tij që ishin të sëmurë me COVID-19. Testi tregoi praninë e materialit gjenetik nga virusi COVID-19. Qeni nuk po tregonte ndonjë shenjë klinike të sëmundjes.
- Nëse qeni apo macja juaj tregon simptoma të një sëmundje të pashpjegueshme dhe i është ekspozuar një personi me COVID-19, bisedoni me zyrtarin e shëndetit publik në rajonin tuaj. Nëse zyrtari shtetëror i shëndetit këshillon që ta dërgoni kafshën tuaj në klinikë veterinare, telefononi klinikën tuaj veterinare para se të shkoni për t’i njoftuar ata që po sillni një kafshë të sëmurë që i është ekspozuar një personi me COVID-19.