Alarmante: Luftërat me qen nuk kanë të ndalur
Organizata jonë merr vazhdimisht ankesa për krimet që bëhen me qen, duke i futur ata në luftëra me qen të tjerë. Shumë persona e bëjnë këtë krim në Kosovë dhe Policia e Kosovës, rrallë ndërmerr hapa të shpejtë ndaj këtyre fenomeneve negative dhe tejet abuzive për qentë, sepse shpesh vet shteti nuk ka masa adekuate dhe gjithëpërfshirëse ndaj zbutjes apo zhdukjes së këtij fenomeni.
Luftërat me qen dhe organizimi i çfarëdo ngjarjesh që shkakton dhimbje dhe vuajtje të panevojshme tek kafshët, konsiderohet keqtrajtim ndaj kafshës dhe konsiderohet vepër penale, sipas nenit 346, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Por vetëm ky nen, siç duket, nuk po mjafton që krim-bërësit të kapen dhe qentë të shpëtohen dinjitetshëm.
Organizata jonë, së bashku me aktivistë të tjerë, ka gjetur në prill të këtij viti, gjashtë (6) qen të mbyllur në një lokacion të pa banuar në Komunën e Fushë Kosovës. Me një patrullë të policisë, dhe një veterinar, aktivistët e organizatës i morën qentë dhe i shpëtuan nga ai vend. Njëri nga qentë gjeti vdekjen sepse kishte probleme të rënda shëndetësore, kurse të tjerët, janë në një vend të sigurtë, duke u strehuar, deri sa të gjejnë adoptues.
Rasti i prillit ishte lajmëruar në polici nga ne dhe të dyshuarit R.B dhe A.C ishin marrë në pyetje nga policia. Rasti është ende në trajtim e sipër në Gjykatë. Të dyshuarit ishin të mitur.
Sot, me datë 18 gusht 2020, sërish, janë gjetur dy qen të racës Pit Bull në po të njëjtin vend. Policia e Fushë Kosovës, është treguar shumë e shpejt edhe në herën e parë por edhe në të dytën dhe ka konfiskuar qentë nga ai vend menjëherë. Aktivistët tonë kanë gjetur një strehim të përkohshëm, por nuk mund të qëndrojnë në atë strehim për gjatë. Ky strehim kërkon fonde dhe trajtim mjekësor veterinar.
Shteti nuk ka strehimore për këto raste dhe as nuk dëshirojmë të imagjinojmë se si mund të dukej një strehimore e menaxhuar nga shteti. AUVK nuk arrin dot të menaxhojë një projekt të thjeshtë të kastrimit dhe sterilizimit, ku qentë gjejnë vdekjen torturuese nga veterinerët, e lërë t’u besojmë institucioneve që të menaxhojnë një hapësirë strehuese për qentë.
AUVK po ashtu keq shfrytëzon paranë publike duke shpenzuar 111.000 euro për projekte fiktive ndërgjegjësuese kurse ne dhe shumë aktivistë të tjerë duhet të shpenzojmë nga xhepi jonë për të gjetur vende adekuate për qentë viktima, që shpëtohen nga luftërat.
Policia e Fushë Kosovës ishte efikase, por Policia e Kosovës i mbyllë sytë ndaj këtyre fenomeneve të dukshme abuzive dhe të rrezikshme si për qen ashtu edhe për njerëz.
Me këtë post, i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse:
- Policisë së Kosovës: që të reagojë shpejt në thirrjet tona kur ne lajmërojmë organizimin e luftërave;
- Qeverisë: të sigurojë fonde për raste të shpëtimit sepse edhe qentë janë krijesa të dhimbshme që meritojnë mbrojtje;
- AUVK-ës: T’i mobilizojë inspektorët që ka apo të punësojë inspektorë të jashtëm, që të monitorojnë vazhdimisht mbajtën e kafshëve shoqëruese në familjet kosovare. Përderisa i keq-shpenzojnë 111.000 euro të projekteve kinse ndërgjegjësuese, mund t’i drejtojnë ato për të paguar inspektorë shtesë, me kontrata mbi vepër;
- Prokurorisë së Kosovës: t’i marrin këto raste seriozisht dhe të mos i lirojnë abuzuesit me masa të lehta por me ndëshkime maksimale, që parasheh edhe burgim deri në një vit.
- Komunave të Kosovës: të bëjnë më shumë projekte vetëdijesuese për qytetarët e tyre, duke potencuar vazhdimisht që luftërat me qen, janë edhe rrezik për shoqërinë e jo vetëm për qentë e gjorë;
Prishtinë, 18 Gusht, 2020