Siç po duket nuk po mjafton që lopët tërë jetën e kalojnë në ferma, të mbyllura e të shfrytëzuara për qumështin dhe mishin e tyre, e tani në zinxhirin e jetës keqtrajtues po futet edhe përdorimi i tyre për argëtim dhe “art”.
Pyetja ime është: pse të krijohet ky stres i panevojshëm për to? Pse?
Protesta “Vuajtja nuk është art!”, e cila u organizua më 24 Korrik nga rrjeti i organizatave për të Drejtat e Kafshëve (Të Bashkuar për Kafshët & Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve) së bashku me Qendrën Sociale Sabota, u realizua me bindjen e plotë që vendi ku lopët po mbahen për një muaj, si pjesë e ekspozitës “Love you without knowing” së artistit bashkëkohor Sislej Xhafa, në Galerinë e Arteve, është thjeshtë torturues dhe shfrytëzim i kafshëve është bërë për qëllime argëtuese-art.
Protesta simbolike dhe me qëllim ndërgjegjësimi kishte mbi të gjitha qëllime parandaluese, në mënyrë që kjo ekspozitë të mos inkurajojë raste apo ide të tjera të mundshme duke marrë kafshët si objekt për shfrytëzim, vetëm për qejfe apo interesa personale. Me pak fjalë, mos të krijohet një precedent negativ i cili do e cilësonte kafshën si objekt shfrytëzimi dhe përfitimi, pa e shikuar atë si qenie të mbrojtur me ligj e cila do duhej të jetojë në mënyrë të dinjitetshme dhe sa më shumë në natyrshmërinë e saj, pra duke ia respektuar vlerën e dhënë natyrore, njëjtë sikurse njeriut.
Nuk është tendencë e dyfishtë, e as kritikë arti ndaj shijes dhe stilit të artistit Xhafa, por është reagim për të treguar që ekspozimi i tetë lopëve në një ahur të improvizuar në mes të kampusit universitar nuk është e tolerueshme dhe as normale.
E gjithë kjo jep shqetësim për kafshët të cilat, përveç mbajtjes së tyre të lidhura dhe të mbyllura për një kohë kaq të gjatë, janë të ekspozuara ndaj zhurmave të qytetit, zhurmave të koncerteve të shoqëruara me fishekzjarrë (koncerti i organizuar nga ProCredit), diellit dhe shiut që për këto tre javë pothuajse nuk është ndalur së reshuri.
Për më tepër, jam tejet e zhgënjyer me Galerinë Kombëtare të Arteve dhe me një pjese të shoqërisë me mënyrën se si i janë përgjigjur kauzës të cilën ne, si disa qytetarë, duam ta mbrojmë.
Jam e sigurt, që nëse ndonjë organizatë e huaj (ndërkombëtare) do të kishte reaguar për këtë çështje, vet Galeria e Arteve së bashku me artistin do ta ftonin organizatën hipotetike për bashkëbisedim, për të gjetur çfarëdo mirëkuptimi dhe zgjidhje paqësore mbi këtë problem, por pasi që njerëzit e tyre, ata që vetë artisti i do pa e ditur, kanë reaguar, të njëjtit janë shpërfillur në një mënyrë ofenduese dhe përqeshëse. Madje janë thurur edhe “poezi” të ndryshme, duke krahasuar mbylljen e lopëve me izolimin tonë si shoqëri, ose edhe më keq, me bindjet që ne protestuam për disa lopë që janë dhënë si donacion nga Zvicra për ta rritur ekonominë vendore me prodhimtari blegtorale. Edhe pse gjithë këto shkrime dhe komente, që fundja janë personale të secilit, nuk prekin dhe as nuk reflektojnë në asnjë moment mbi vetëm një gjë, që është mirëqenia e lopëve, duke mos i vendosur ato në “qendër” për as edhe vetëm një minutë por duke përdorur gjithmonë arsyet e ”forta“ dhe të ”logjikshme“ sipas së cilave ato krijesa i shërbejnë njeriut dhe me to bëjmë çfarë të duam.
Përdorimi i kafshës, apo edhe i njeriut, pa i respektuar në çdo aspekt të mirëqenë dhe të dinjitetshëm, nuk është art.
Të drejtat e kafshëve në Kosovë!
Nga aspekti civil-shoqëror mirëqenia e kafshëve në Kosovë, ashtu edhe ajo e njerëzve në disa raste, varet në të shumtën e herëve vetëm prej mëshirës apo përfshirjes emocionale të ndonjë individi (apo grupi) më kafshën. Një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare nuk ka njohuri rreth legjislacionit. Kemi një legjislacion, edhe pse jo perfekt dhe në disa pjesë mjaft i mangët në kuadër të mbrojtjes së mirëqenies së kafshëve, por ekziston dhe mund të zbatohet në shumë raste. E gjithë kjo pastaj na sjell ne gjendjen ku as institucionet shtetërore kompetente të mos merren me raste që prekin keqtrajtime apo fenomene të ngjashme.
Duke prekur përgjithësisht këtë pjesë është e rëndësishme të theksohet që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në kuadër të mirëqenies së kafshëve, ka rreth 50 udhëzime administrative, më fokus të veçantë kafshët blegtorale dhe kushtet e tyre për trajtim dhe shfrytëzim, ashtu siç e kemi Ligjin për Përkujdesjen ndaj Kafshëve që është i vetmi ligj për të drejtat e kafshëve dhe i cili ka nevojë të ndryshohet shumë shpejt. Pra, do të thotë që 90% i gjithë legjislacionit kosovar për mirëqenien e kafshëve përqendrohet në mbrojtjen e tyre për shkaqe dhe për të mira njerëzore (metoda antropocentrike e trajtimit të kafshëve). Kjo qasje duhet të ndryshohet dhe të vihen të tjera qasje profesionale dhe legjislative si bazë e legjislacionit të mirëqenies së kafshëve në Kosovë.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm që kafshë e të mbyllura dhe të keqtrajtuara në Kosovë ka kudo, edhe tani në këto momente, pra edhe jashtë periudhës një mujore të ekspozitës në Galerinë e Arteve. Është e dukshme që kemi shitjet ilegale të kafshëve, shumim-mbarsim të tyre pa licencime dhe ende shumë ferma me sistem të mbyllur të mbajtjes, të gjitha këto i dimë.
Kushdo që është i/e interesuar të ndihmojnë në zbutjen/zhdukjen e këtyre fenomeneve, gjithmonë kanë mundësinë të kontribuojnë me komunitetet për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të kafshëve, ku më në fund po ngrihet zëri për këto çështje, më aktivisht.
E ngritja e zërit tonë në këtë rast, dhe për raste të tjera potenciale në të ardhmen, do të fokusohet gjithmonë në qasjen e trajtimit të kafshëve prej qasjes antropocentrike në atë biocentrike (edhe pse kjo e fundit nuk përfshihet fare në legjislacionin kosovar). Ndërsa sipas legjislacionit zviceran, të gjitha bazat ligjore të mbrojtjes se kafshëve duhet të nisen prej vlerave biocentrike (edhe kjo ende e kufizuar, por ekzistuese dhe në implementim),që do të thotë të mbrohen kafshët vetëm pse ato kanë vlera të tyre të natyrshme, pra vetëm pse ekzistojnë per se.
Mbrojtja e kafshëve në mënyë ‘antropocentrike’ është t’i duash dhe t’i mbrosh kafshët vetëm pse neve si njerëz na duhen (për mish, qumësht, të bartin sende, për punë, etj.), pra përfshin mendimin që kafshët ekzistojnë vetëm për shërbimin tonë.
Fakti që lopët mbahen aty për një muaj, për arsyet që janë përmendur më lartë, tregon që përdoren vetëm për interesa personale, gjegjësisht për interesa artistike të cilat, pa marrë parasysh mënyrën se si e themi, bien, në rastin e dhënë, në kategorinë e “argëtimit”.
“Unë jam vegjetarian, ju dua pa e ditur”
Unë jam vegane dhe ju dua, duke e ditur.
Po, po, duke e ditur. Duhet pak ndërgjegjësim e ndoshta edhe ju të tjerët, së paku, ta kuptoni reagimin tonë. Pastaj a pajtoheni a jo, ky është një problem tjetër.
Kjo pikërisht mungon në gjithë këtë muhabet. Mungon dijenia, vetëdija që ato lopë nuk kanë nevojë vetëm për kontroll mjekësor, për mëshirë dhe dashuri të bazuar në emocione momentale dhe false. Kafshët kanë nevojë që t’iu njihet dhe respektohet qenia e tyre per se dhe vlerat e natyrshme të tyre, për jetesë sa ma të lirë dhe sa më pak shfrytëzuese. Siç është thënë më herët, e drejta e kafshëve anon më shumë nga antropocentrizmi dhe speciecizmi se sa biocentrizmi, jo vetëm në Kosovë, por edhe kudo në botë.
Personalisht mendoj që ideja se njeriu është qenia ndaj të cilës çdo gjë duhet të nënshtrohet apo edhe çdo gjë duhet t’i vihet në dispozicion, madje edhe natyra apo kafshët, është mendim shqetësues dhe egoist. Speciecizmi (speciesism) shfrytëzon, keqtrajton dhe vret edhe pse njerëzit qysh në historinë e tyre më të hershme kanë mbijetuar me produkte dhe duke shfrytëzuar kafshët (Kjo është temë në vete dhe kërkon kohë e më shumë diskutime).
Megjithatë, poenta është që, nëse jetesa e një fermeri varet vetëm nga pak bagëti që ka, duhet të kemi qasje më të kujdesshme dhe të vazhdojmë me hapa të tjerë. Nuk ka kuptim logjik që të shkohet në protesta para fermave të tyre (së paku për momentin). Kurse, në raste të shfrytëzimit të kafshëve për luks dhe argëtim, nuk ka diskutim, kemi të bëjmë me një fenomen që duhet të ndalohet rreptësisht.
Për më tepër, a thua që personat që i rrinë mbrapa mesazhit të Sislej Xhafës: “Jam vegjetarian, ju dua pa e ditur”, do i duan lopët edhe pas përfundimit të ekspozitës, kur ato shkojnë në fermën e “tyre”, në atë vendin më të keq? Apo ndoshta Galeria do të vendosë t’i adoptojë, pasi që janë të bindur që vendi aty është i përshtatshëm!?
Nga disa reagime kemi kuptuar që disa persona thjesht duan, pa e ditur. Shumë keq!
Shpresoj që dikur mësohen të duan, në një mënyrë ma të vetëdijshme!
Protesta dhe pas saj
Protesta për neve është motivim edhe ma i madh që të punojmë drejt kësaj fushe edhe më aktivisht. Tani edhe kuptojmë pse kafshët e tjera shoqëruese (si qeni dhe macja) nuk kanë mirëqenie të mirëfilltë në shoqërinë tonë, sepse dashuria ndaj tyre është përzgjedhëse dhe e shprehur më shumë vetëm atëherë kur na konvenon.
Protesta, e zhvilluar në mënyrë paqësore, arriti të transmetojë mesazhet kyçe edhe pse ndoshta jo të kuptuara drejt nga një pjesë e madhe.
Nuk na është lejuar t’i vendosim parullat tek ahuri i lopëve, ngaqë është “vepër artistike” ose ngaqë Galeria e Arteve është frikësuar që po “shkatërrohet diçka”, duke na shtyrë që të njëjtat parulla t’i ngjisim në tokë para objektit të galerisë.
Gazetarët kanë pyetur se çfarë do të vijë pas dhe çfarë presim më tutje pas protestës.
Të them të drejtën, nuk pres asgjë përveç ngritjes së vetëdijes dhe mirëkuptimit etik dhe empatik nga institucionet e përfshira në këtë çështje, ngaqë legjislacioni kosovar nuk thekson në mënyrë eksplicite shkelje të mirëqenies së kafshëve nga ekspozitat apo nga argëtimet me kafshët.
Ligji paraqet si keqtrajtim “Veprimin apo mosveprimin me të cilin kafshës i shkaktohen vuajtje, dhembje apo shqetësime, të cilat në shkallën dhe rrethanat në të cilat paraqiten janë të tepruara dhe të panevojshme”.
Pastaj, disa nene flasin për eksperimente dhe shfrytëzim të kafshëve. “Shfrytëzimi” përfshinë vetëm shfrytëzimin e kafshëve për gara. Në këtë ligj (apo dispozita të tjera ligjore, shoqëruese të ligjit përkatës) urgjentisht duhet të shtohen edhe lloje tjera të shfrytëzimeve, pasi që, përveç garave dhe luftërave me qenë tashmë kanë filluar edhe shfrytëzime të llojeve të tjera edhe në Kosovë.
Si përfundim, dhimbjet dhe shqetësimet e kafshëve që bëhen për arsye argëtimi dhe qejfi, do duhen të futën në legjislacion për mirëqenie të kafshëve, në mënyrë që reagimet tona edhe në të ardhmen të kenë baza ligjore më specifike mbi keqtrajtime apo shfrytëzime. Jo të bazohemi vetëm në vlera etike dhe empatike, të pa shkruara, sepse tashmë kam kuptuar që një pjese të madhe të shoqërisë kosovare i mungojnë ato vlera dhe i duhet kohë për të kuptuar mirëqenien e kafshëve në përgjithësi.