Kërkesë urgjente për masa parandaluese dhe ndëshkuese ndaj organizatorëve të luftërave mes qenve

15 Janar, 2019 admin

Nga: Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, Të Bashkuar për Kafshët dhe Kosovo Pet Rescue
Subjekti: Kërkesë urgjente për masa parandaluese dhe ndëshkuese ndaj organizatorëve të luftërave mes qenve;
Për: Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës.

Përmes kësaj shkrese, ne, organizatat e lartshënuara me mision mbrojtjen e të drejtave të kafshëve në Kosovë, paraqesim vërejtjet dhe kërkesat tona urgjente për implementimin e masave parandaluese dhe ndëshkuese të çdo llojit të organizimeve, që kanë për qëllim abuzimin e qenve, përmes luftërave të dhunshme mes tyre.

Mendimet dhe rekomandimet e paraqitura në këtë dokument, rrjedhin nga eksperienca jonë profesionale në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të kafshëve, dhe bazohen në legjislacionin në fuqi, përkatësisht në:

– Kushtetutën e Republikës së Kosovës;
– Kodin Penal dhe Civil i Republikës së Kosovës;
– Ligjin Nr. 02/L-10 Për përkujdesjen ndaj kafshëve;
– Udhëzimi Administrativ nr. 25/2008 për riprodhimin e kafshëve;

Duke qenë dëshmitarë se në Kosovë, një numër i madh individësh organizojnë luftëra mes qenve dhe vëjnë baste që arrijnë shuma të mëdha për “fituesin” (pronari i qenit i cili fiton luftën), iu bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës, por me theks të veçantë, të gjitha Komunave të Republikës së Kosovës, që të ndërmarrin masa strikte dhe të menjëhershme për të parandaluar abuzimet e qenve, që iu bëhen duke i vënë në luftim apo garë me qen të tjerë. Për rregullimin e kësaj fushe, Kosova ka infrastrukturë ligjore që e ndalon organizimin e garave ku testohet fuqia e kafshës dhe që mund të rezultojë me dhimbje, lëndime apo ngordhje. Ne jemi thellësisht të dëshpëruar nga heshtja institucionale karshi këtij fenomeni barbarie që organizohet në shumicën e rasteve nga vetë shoqëruesit/pronarët e qenve (pikërisht nga individë që e kanë detyrë të sigurojnë mirëqenien fizike dhe psikike të kafshës që e kanë nën përkujdesje).

Nga rrëfimet e dëshmitarëve dhe publikimeve në rrjetet sociale, shihet që këto aktivitete të kundërligjshme, janë të publikuara nga shumë individë në faqe të ndryshme të Facebook-ut dhe Instagramit, shpesh edhe të dokumentuara (filmuara, fotografuara) në detaje. Pra, identifikimi i individëve/abuzuesve apo të ashtuquajturave garueseve, mund të bëhet me lehtësi.

Duke u nisur nga fakti që jemi vazhdimisht duke bashkëpunuar në mënyrë aktive dhe profesionale me institucionet publike dhe private përgjegjëse, që të mundohemi dhe të garantojmë që të gjitha veprat abuzuese dhe të jashtëligjshme në Kosovë të identifikohen, parandalohen, paraqiten në polici dhe/apo tek organet e drejtësisë, ne sugjerojmë me shumë urgjencë që të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës, të ndërmarrin pikat e renditura, si më poshtë:

  1. Lëshimin e një urdhërese apo vendimi për paralajmërimin dhe ndalimin urgjent të luftërave apo garave me qen, tek organet respektive, konkretisht tek Policia e Kosovës dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike në secilën komunë.
  2. Identifikimin e individëve/abuzuesve të qenve, si kryerës të veprave të tilla jashtëligjore dhe monitorimin e vazhdueshëm të aktiviteteve të tyre.
  3. Marrjen e masave ndëshkimore të parapara me legjislacionin në fuqi, nga inspektorët komunal dhe veterinerë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës.
  4. Identifikimin e mbarështuesve të paregjistruar të qenve me qëllim të shitjes së këlyshëve për gara dhe luftëra;

Shpresojmë në një përgjigje pozitive ndaj kësaj thirrje si dhe lëvizje konkrete nga ana juaj, sepse nëse vazhdohet të heshtet mbi këto dukuritë e lartpërmendura, të cilat kanë trend të rritjes (sipas monitorimeve tona), atëherë rrezikojmë që çrrënjosja e këtyre dukurive të bëhet me rezistencë të madhe ose me dështim.

Dhuna, e çfarëdo lloji qoftë, paraqet rrezik me mundësi përshkallëzimi për ne dhe për brezat e ardhshëm të këtij vendi.
Si gjithmonë, qëndrojmë në dispozicionin tuaj për dhënien e ekspertizës dhe mbështetjes tonë në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të kafshëve.

Me shumë mirësjellje presim një përgjigje si dhe ju falënderojmë paraprakisht!

Sinqerisht,
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve,
United For Animals Albania dhe
Kosova Pet Rescue