Më datën 8 mars, vendosëm edhe një hap të mëtejshëm, përmes së cilit iniciuam/promovuam edhe në mënyrë solemne hapjen e fondacionit tonë.
Kemi pasur nderin që në këtë ngjarje të rëndësishme për ne, të ishte prezente edhe organizata LAV (Lega Anti-Vivisezione) e cila qysh nga themelimi i organizatës (në prill 2018) ishte organizatë partnere e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve. Organizata LAV do të jetë me ne edhe në hapat e ardhshëm si partnere shkencore dhe teknike në punët operative që sigurisht ne do t’i zbatojmë dhe realizojmë në vazhdimësi.
Po ashtu, edhe organizata tjetër partnere, ATB (Associazione Trentino con i Balcani) ishte me ne dhe na ndihmuan edhe financiarisht që ta organizojmë ngjarjën. Ne i falënderojmë shumë për mbështetjen dhe punën e tyre në Kosovë që pothuajse 20 vite.
Edhe pse moment simbolik, kjo ngjarje vendosë një “barrë të rëndë” mbi supet tona, e cila edhe vazhdimisht ka sfiduar dhe vazhdon ta sfidojë guximin tonë për të avokuar e lobuar përbrenda shoqërisë sonë, për ata që nuk kanë zë! Gjithsesi, kjo nuk luhatë bindjen tonë që të drejtat e kafshëve do mund t’i transformojmë nga një filozofi, në një lëvizje shoqërore që sfidon pikëpamjet tradicionale të shoqërisë se të gjitha kafshët jo njerëzore ekzistojnë vetëm për përdorim njerëzor.
Kjo ngjarje është edhe gurë themel i bashkëpunimit me organizatat dhe institucionet relevante simotra si LEGA ANTI Vivisezione, Trentino con i Balcani Onlus (ATB), straycoco.com – im Einsatz für Strassenhunde , Stiftung für das Tier im Recht (TIR), Kosovo Small Animal Welfare, GAIA Kosovo – si dhe institucionet publike si: Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës; Koordinatori Kombëtar për projektet që kanë të bëjnë me qen endacak; Departamenti/Instituti i Veterinarisë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës; si dhe Komuna e Prishtinës.
Falenderojmë edhe njëherë Z. Gianluca Felicettin (Presidentin e organizatës LAV), Z. Simone Stefani, Sara Carlin dhe Luisa Bertoli nga LAV Trentino për vizitën e tyre në Kosovë, si dhe për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të rëndësishme. I falenderojmë edhe të gjithë të pranishmit tjerë, partnerët dhe mbështetësit tonë që na motivojnë mëtutje në këtë rrugëtim të vështirë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve.