Ne jemi të kënaqur që Komuna e Prishtinës ka vlerësuar gjendjen e situatës dhe ka inicuar një projekt të KSVL (kapje, sterelizim, vaksinim dhe lëshim) të qenve endacak në Prishtinë.
Bushtrat (qentë të gjinisë femërore) do të trajtohen me prioritet, për të ndihmuar zvogëlimin e shumimit të qenve të rrugës në mënyrë më efektive, për aq sa do të jetë e mundur.
Vlen të theksohet se për zvogëlim të dukshëm dhe të qëndrueshëm të qenve të rrugës, duhet të ketë regjistrim të kafshëve shoqëruese dhe mbajtësve të tyre dhe ndëshkim për ata që braktisin kafshë, kontroll të mbarështuesve dhe shitësve të qenve si dhe projekte të vazhdueshme të projekteve KSVL.
Vlera e ndarë për projektin emergjent është 20.000,00 euro dhe do të zgjasë 3 muaj. Subjekti veterinar i kontraktuar do të jetë ‘Crazy Pet’, DVM Dardan Pozhegu.
Ne si organizatë do të jemi përkrah Komunës dhe subjektit fitues veterinar “Crazy Pet”, me veterinarin, DVM Dardan Pozhegun, i cili është i specializuar për të trajtuar kafshë të vogla, do të thotë kafshë shoqëruese siç është qeni.
Shumë shpesh në Kosovë, për trajtim të qenve, kontraktohen veterinerë të pa specializuar në kafshë të vogla por me experience vetëm në kafshë të mëdha. Kjo duhet të ndryshojë sepse kafshët e pa streha, kanë nëvojë për kujdes dhe trajtim mjekësor profesional.
Kushdo që dëshiron të lajmërojë subjektin veterinar, Crazy Pet, për bushtra të pasterelizuara në lagjet e tyre, të thërrasin në numrin: 044248780 dhe numri i organizatës 049444237 ose në email adresat: dardan.pozhegu@gmail.com dhe elza.ramadani@animalrights-rks.org
Qytetarët të cilët dyshojnë për agresivitetin e ndonjë qeni, duhet të bëjnë video të qenit, apo, kur ta thërrasin ekipin veterinar, të qëndrojnë me ta që ta tregojnë qenin potencialisht agresiv, në mënyrë që të vlerësohet agresiviteti potencial i qenit dhe të ndërmirrën masa që të largohet nga rruga në rast se paraqet rrezik të vazhdueshëm për qytetarët.
Ju bëjmë me dije se kërcenimet dhe kërkesat e pa baza në telefonata nuk do të merren parasysh. Duhet të jemi korrekt dhe të ndihmojmë të gjithë në këtë punë.
I gjithë procesi do të jetë edhe nën monitorimin tonë si organizatë (në mënyrë krejtësisht vullnetare) dhe shumë procese të punës do të publikohen dhe do të raportohen për qytetarët me shumë transparencë.
I falenderojmë Komunën e Prishtinës dhe DVM Dardan Pozhegun që na besojnë dhe na kanë përfshirë në këtë projekt, në mënyrë që të garantohet transparenca e punës, sigurimi i mireqenies dhe respektimit dinjitoz i të drejtave të kafshëve.