T’i ndihmojmë kafshët e komunitetit gjatë krizës së pandemisë COVID-19

16 Prill, 2020 admin

 

Përderisa pandemia COVID-19 po i detyron miliona njerëz të izolohen nëpër shtëpi, edhe një kategori e komunitetit është goditur rëndë nga këto masa: kafshët endacake.

Edhe pse as për qentë me shoqërues nuk ka liri të lëvizjes për t’i kryer nevojat bazike të tyre, në anën tjetër, mijëra kafshë endacake, në mungesë të ushqimit, po vuajnë shumë. Nëse nuk bëhet një zgjidhje për ta nga institucionet relevante, rrugëve do të ketë shumë qen dhe mace të vdekura nga uria.

Mbyllja masive e restoranteve i ka privuar shumë kafshët endacake nga ushqimi i mbetur i tyre, që përfundonte në shporta të mbeturinave.

Për shumë nga këto kafshë, kufizimet e tanishme, pa planifikuar asnjë masë per ta do të thonë vuajtje dhe vdekje.

Në mungesë të ushqimit, shumë kafshë endacake do të bredhin në territore më të largëta se që janë mësuar, në kërkim të ushqimit.

Poashtu, edhe agresiviteti i kafshëve endacake mes veti mund të rritet në mungesë të ushqimit, ngaqe luftojnë me njëri- tjetrin për mbijetesë. Nuk duhet të harrohen as sëmundjet e ndryshme që mund të shfaqen nga keq ushqimi, të cilat përveç që shkaktojnë vuajtje tek kafshët, rrezikojnë edhe më shumë shëndetin publik.

Përderisa është detyrë e Komunave për të ushqyer edhe këtë kategori e cila është pjesë e komunitetit, përveç Komunës së Prishtinës (pjesërisht), asnjë komunë tjetër deri më tani nuk ka marrë ndonjë vendim për ushqyerjen e këtyre kafshëve.

Pasi që deri më tani nuk ka ndonjë vendim zyrtar nga institucionet relevante për t’u marrë me këtë problem mjaft serioz, si çdo herë tjetër, fati i këtyre krijesave mbetet në duar të njerëzve vullnet-mirë, të cilët me forca të veta (e shpesh edhe përtej tyre), sigurohen që të ushqejnë sa më shumë kafshë të rrugës.

Fatkeqësisht, vetëm disa aktivistë zemërmirë nuk mjaftojnë për të zbutur këtë problem. Prandaj, çdo qytetar mund të ndihmojë, qoftë edhe vetëm me një copë bukë ose pak ujë. Mos të harrojmë: Edhe vetëm një kafshatë për një kafshë mund të jetë dallimi mes jetës ose vdekjes.

Ruani mbetjet e ushqimit (te cilat nuk përmbajnë përbërës të dëmshme për kafshët: melmesa të diegësta, hudra, qepe, badem, çokolladë, qumësht, djath, ëmbëlsira) dhe hidhni ato në tokë ose në ndonjë enë (keni kujdes: mos i lëni qesët e plastikës në tokë, në menyrë që ta ruani mjedisin nga ndotjet. Vendosni ushqimin në një vend të pastër dhe të sigurt, por pa dëmtuar mjedisin).
Kini kujdes që ushqimin për macet endacake ta vendosni diku më lartë, në mënyrë që qentë endacak mos të kenë qasje në ushqim dhe t’i rrezikojnë macet dhe kotelet e tyre në rrugë.

Pothuajse gjithmonë, shumicës prej nesh na mbetet ushqim i tepërt në shtëpi i cili përfundon në mbeturina. Nuk humbni asgjë nëse këtë ushqim e ruani për kafshë endacake.