Organizata jonë dyshon (me bazë) në abuzimin mjekësor-veterinar që po i bëhët qenve endacak përgjatë projektit shtetëror për kastrim dhe sterelizim.
Me të filluar projekti i menaxhimit dhe kontrollit të qenve endacakë përmes metodës KSVL (kap, sterelizo/kastro, vaksino, lësho), organizata jonë, me pëlqimin e shumëpritur nga AUVK për të monitoruar punën në këtë projekt, menjëherë ka filluar vizitat nëpër qendrat e trajtimit të përkohshëm të subjekteve të kontraktuara në këtë projekt.
Organizata jonë, me përkushtim maksimal tenton të sigurojë mbarëvajtjen e këtij projekti, duke kërkuar të njëjtin përkushtim profesional nga veterinerët, në mënyrë që përmes këtij projekti, të sigurohet kapje humane, sterelizim/kastrim profesional (nga veteriner me përvojë të gjatë në kafshë të vogla), qëndrim profesional (stafi dhe veterinarët që përkujdesen për qentë vazhdimisht në qendër) dhe të lëshohen saktë në vendin se ku janë zënë, në mënyrë që qentë tonë të komunitetit, të kthehen shëndosh e mirë në vendin se ku janë marrë. Kjo, nuk po ndodhë në të gjitha qendrat dhe shumë veterinerë që janë pjesë e projektit, gjatë punës së tyre të përditshme, nuk mund të vërtetojnë se punojnë me kafshë të vogla, siç është qeni.
Ne jemi mjaft të shqetësuar për të gjorët qen, të cilët zhdukën (me gjasë vdesin) shpesh nuk kthehen asnjëherë në vendin se ku janë marrë dhe veterinerët amater (jo të gjithë), vetëm pasurohen me vuajtjet e qenve duke shpenzuar me gjak të qenve, paranë publike.
Nëse vetëm edhe një qen vuan nga puna jo profesionale e qoftë vetëm një veterinari, puna e tij/saj, duhet të ndalohet menjëherë. Nëse institucionet përgjegjëse e mbrojnë punën e dobët, jo profesionale dhe neglizhente të vetëm disa vetërinerëve, duke njollosur profesionin dhe integritetin profesional të veterinarisë në Kosovë, ne nuk i mbrojmë ato dhe ngrisim zërin vazhdimisht që këto probleme të zgjidhen njëherë e përgjithmonë. Nuk do të lodhemi, këtu do të jemi. Ne mbrojmë jetët e qenve, që meritojnë trajtim dinjitoz, në maksimum.
Deri më tani, organizata jonë ka bërë 37 vizita të subjekteve veterinere fituese, në gjithë Kosovën, për të cilat, në detaje do të tregohet në një postim të veçant.
Në 15 vizita (9 qendra të trajtimit të përkohshëm), nuk kemi qenë të kënaqur aspak, ngaqë puna profesionale veterinare, shihej të mos jetë në nivel (për trajtim të kafshëve të vogla). Më poshtë, keni disa foto si dëshmi te asaj që po themi.
Nëse nga AUVK nuk ndërmirren masa të merituara ndaj veterinerëve që neglizhojnë qëllimisht faktin se nuk bëjnë punë të mirë në sterelizime, që me vetëdije nuk janë vazhdimisht në qendër (apo dikush nga stafi) për të monitoruar gjendjen shëndetësore të qenve, pastërtisë dhe ushqyerjes, kapin dhe lëshojnë qentë në territore të huaja, ne do të ndërmarrim masa ligjore (neni Neni 343 – Dhënia e ndihmës veterinare në mënyrë të pandërgjegjshme, dhe Neni 346 – Kodi Penal i Republikës së Kosovës: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=18413) dhe mediale.
Qentë nuk duhet të jenë mjet për eksperimentime nga veterinerët, por duhet kuptuar se janë krijesa të ndjeshme që duan të jetojnë të qetë në rrugë, në vendin se ku janë kapur (rasti në Mitrovicë, Prishtinë), apo edhe më keq, kapin bushtra gjidhënëse, duke i lënë këlyshët e saj të vdesin nga uria (rastet në Pejë, Gjilan).
Për më tepër, kemi fakte se qentë, të cilët aktivistët ushqejnë në Prishtinë dhe disa Komuna të tjera dhe qe ishin të sterelizuar/kastruar veçse në vitin 2018, 2019 – janë marrë prap nga ekipet e zënjës, për rajonin e Prishtinës (subjektet potenciale: Rrethina e Prishtinës, Komoran, Drenas). Do të shohim në fund të projektit se si po raportohen qentë veçse të trajtuar në vitet e mëparshme.
Çdo rast abuziv, qoftë profesional mjekësor, qoftë në trajtim të kafshës në kapje, lëshim – do të dorëzohet si kallëzim penal në prokurori.
I falenderojmë veterinerët profesional për punën e tyre të mrekullueshme, deri më tani.