Më 26 Qershor 2020, Oda Veterinare e Kosovës, ka krijuar Komisionin e Etikës së profesionit veterinar, i përbërë nga 5 anëtarë: Driton Zeqri (KOVK), Kryetar, dhe katër anëtarë Hyzri Ymeri (OVK), Dardan Pozhegu (OVK, KSAVA), Driton Çaushi (FBV) dhe Bafti Murati (AUV).
Vendimi për të krijuar këtë komision ka ardhur pas raportimeve tona për punë joprofesionale nga disa veterinerë të kontraktuar në projektin shtetëror të KSVL. Disa prej këtyre veterinerëve, iu është ndërprerë puna nga AUVK, por vetëm përkohësisht.
Një muaj pas krijimit të këtij komisioni, edhe pas shumë premtimeve, ende asnjë vizitë nuk është realizuar tek veterinerët e dyshuar për punë jo të mirë. Kjo nuk është aspak serioze dhe profesionale. Ne si organizatë, nuk jemi të lejuar të hyjmë në salla të operacionit, ndërsa ky komision është krijuar pikërisht për këtë, të monitorojë dhe asistojë në operime, dhe të shohë punën reale të veterinerëve. Por deri më tani, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim, dhe kjo për ne është një neglizhencë e paarsyeshme.
A është krijuar ky komision vetëm për të heshtur organizatën tonë dhe aktivistët e kafshëve për punën joprofesionale që po bëhet me qen endacak? Sido që të jetë, ne nuk do të ndalemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë kundër trajtimeve joprofesionale të kafshëve nga veterinerët.
Veterinerët që e kishin punën e suspenduar, kanë rifilluar angazhimin në projektin shtetëror, mirëpo Komisioni i Etikës nuk e ka rishikuar trajnimin e supozuar që kanë kryer këta veterinerë, e që e kanë pasur kusht për të rifilluar punën. Si mund të lejohet një veteriner të rifillojë punën pas suspendimit, pa u konfirmuar se me të vertetë ka kryer trajnim të mirëfilltë dhe puna e tij/saj është përmirësuar aq mirë sa të lejohet të trajtojë qen përsëri me taksat tona?
Mos të harrojmë, për çdo qen të trajtuar, veterinerët paguhen 74 Euro. Por kushtet janë shumë të qarta: Sterilizim profesional, mjete profesionale të punës, ushqim i mirë për qentë, hapësira të pastra, dhe lëshim i qenve në vendin e njejtë ku janë kapur. Çfarëdo pune tjetër që nuk respekton këto kushte, është vetëm shpenzim i kotë i parave të taksapaguesve dhe më e keqja, po i vihet qenve, jeta bë rrezik duke u trajtuar nga veterinerë të cilët në fillim kanë bërë shkelje të rënda.
Prishtinë, 07 Gusht, 2020