Organizata jonë ka marre lajmin e saktë nga AUVK, të incidentit që ka ndodhur me vajzën 9 vjeçare.
Sulmi nuk ka ndodhur nga qentë endacak, por nga qeni me PRONAR, i racës Malinois i cili nuk ishte afër mbajtësit të tij, por bredhte rrugës i lirë. Pasi që kanë tentuar të kërkojnë qenin, nuk shihej më.
Ka shumë mundësi që mbajtësit e papërgjegjshëm kanë lënë të lirë një qen i cili mund të jetë i edukar keq nga mbajtësit e tyre.
Është shqetësuese ngutia e mediave dhe shoqërise për të drejtuar gishtin kah qentë endacak, sa herë që ka situata të tilla, pa u informuar mirë.
Fakti që ky sulm ka ndodhur nga qeni me pronar e jo nga qentë endacak, nuk e bën situatën më pak serioze, dhe pikërisht për këtë arsye, tash e sa vite bëjmë thirrje që të bëhet regjistrimi i qenve me pronarë, që të identifikohen qentë më lehtë për çfarëdo arsyeje. Qentë e pa regjistruar, sjellin edhe fenomenin e njohur në Kosovë, të braktisjes dhe rritjes së numrit të qenve endacak.
Qentë endacak janë vet viktima të abuzimit dhe braktisjes së njerëzve dhe mungesës së vullnetit të shtetit për t’i mbrojtur këto krijesa dhe për t’ju mundësuar të kenë një jetë të dinjitetshme.
Përderisa njerëzit nuk obligohen të regjistrojnë kafshët e tyre shoqëruese, dhe pastaj të japin përgjegjësi para ligjit për braktisje, abuzim etj., numri i qenve endacak vazhdimisht do të jetë i madh.
Projektet e KSVL (kapje, sterelizim, vaksinim, lëshim) si të vetme asnjëherë nuk do të prodhojnë ndonjë efekt afatgjatë në uljen e numrit të qenve endacak, pa programe shtesë si regjistrimi, vetëdijesimi dhe ndalja e keqshfrytëzimit të parasë publike nga ana e veterinerëve apo akterëve të përfshirë në projektet që prekin kafshët endacake.
Prishtinë, 31 korrik, 2020